Serbët nisin të tubohen në Leposaviq
Edhe sot pritet të ketë tensione në veri.
Në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, ka nisur grumbullimi i protestuesve serbë kundër hyrjes së kryetarëve të rinj të këtyre komunave në objektet komunale.
E marta shënon ditën e tretë të protestave, që u përcollën me tensione e dhunë nga protestuesit serbë.
Një ditë më parë, si pasojë e dhunës së protestuesve pësuan 25 ushtarë të KFOR-it në Zveçan.
Policia e Kosovës dhe KFOR-i pozicionohen në Zubin Potok
Qysh nga ora 06:30 ka filluar pozicionimi i Policisë së Kosovës dhe KFOR në komunën e Zubin Potokut.
Barrikadat e hekurta që bllokojnë çdo hyrje në komunë tashmë kanë zënë vend.
Nuk shihet asnjë qytetar serb i asaj komune në rrugë.
Gazetarja Arianitë Zhegrova që aktualisht ndodhet në vendin e ngjarjes, thotë se situata aktualisht është e qetë.
Ndryshe, dje nga sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë, të grumbulluar para objektit të Komunës së Zveçanit kanë pësuar lëndime 25 ushtarë të KFOR-it. Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia ka thënë se sulmet e paprovokuara janë të papranueshme, e ato janë dënuar edhe nga përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe të vendit. Nga brutaliteti i protestuesve më së shumti kanë pësuar ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez. Protesta, për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave, të hënën janë organizuar edhe në Zubin-Potok e Leposaviq.