Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dënimi i vitit – Burg i përjetshëm për Dardan Krivaçën

 
   

Rasti i Marigona Osmanit, mbetet si një ndër rastet më të rënda që ka ndodhur viteve të fundit në Kosovë. Për këtë rast janë dënuar dy persona, Dardan Krivaqa me burg të përjetshëm për “Vrasje” dhe Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje”.

Dënimi ndaj Krivaçës mbetet si dënimi më meritor i vitit 2023. Pala mbrojtëse është ankuar në Gjykatën e Apelit, dhe mbetet të shihet nëse në vitin 2024 mund të ketë ndonjë ndryshim siç ka ndodhur në jo pak raste ndër vite.

Çfarë kishte ndodhur në këtë rast?

Mëngjesi i 22 gushtit 2021, ishte i kobshëm për Marigona Osmani, një vazëë e moshës 18-vjeçare, e cila ishte dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt, qytet ky edhe nga vinte Osmani.

Trupi i pajetë i Marigona Osmanit ishte dërguar në Spital nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.

Pas kësaj, institucionet ishin alarmuar nga ky rast dhe ishin vënë menjëherë në kërkim të të dyshuarve.

Dy ditë pasi që kishte ndodhur ngjarja kritike, Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor, Dardan Krivaçën, i cili ishte kapur në fshatin Sojevë, në periferi të Ferizajt.

Pas arrestimit, Krivaça ishte dërguar në Gjykatën e Ferizajt, i përcjellë nga një numër i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe i prangosur.

Pasi që ishte dërguar në Gjykatë, Krivaçës i ishte caktuar masa e paraburgimit nga Prokuroria.

Dyshimet fillestare për krimin makabër, sipas Prokurorisë, ishin motivet e xhelozisë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, së bashku me Krivaçën në këtë rast ishte përfshirë Arbër Sejdiu.

Në fund të procesit gjyqësor, Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për Krime të Rënda, kishte shpallur aktgjykimin, ku kishte dënuar me burg të përjetshëm, Dardan Krivaçën për vrasje të rëndë, kurse ndihmësi për kryerjen e vrasjes, Arbër Sejdiu u dënuar me 15 vjet.

Krivaqa ishte liruar nga vepra penale e dhunimit meqë sipas gjykatës nuk është vërtetuar se e ka kryer këtë vepër penale, njëjtë si Krivaça, ishte liruar nga aktakuza për veprën penale dhunimi edhe i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Marigona Osmani para se të vritej ishte dhunuar të paktën dy herë po atë ditë, ndër të tjera Prokuroria e Ferizajt pretendonte se dy të akuzuarit e kishin goditur me shkop 18-vjeçaren.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Krivaça, për motive të ulëta, me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën deri sa ajo ka vdekur.

Duke u bauzar në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psikike e fizike, ndaj të ndjerës Osmani.

Prokuroria ka konstatuar në aktakuzë se Marigona Osmani ishte dhunuar seksualisht para se të vritej.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Marigona Osmani u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi.

Gjithashru ishte bërë e ditur se në kohën kur ndodhi krimi i rëndë doli se Dardan Krivaça ishte i njohur për organet e drejtësisë, pasi që ai kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë 9 herë.

Këtë e thotë evidenca e Gjykatës Themelore për të kaluarën kriminale të Krivaçës. Veprat për të cilat ai është dënuar janë kryesisht vjedhje e rëndë dhe lëndime trupore.