Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

I ka shpëtuar dy atentateve / Ja kë planifikonte të vriste 35-vjeçari i arrestuar sot në Vlorë (DETAJE)

Një 35-vjeçar i arrestuar sot në Vlorë gjatë një operacioni të policisë të drjetuar nga SPAK, si dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim, po planifikonin të vrisnin Inez Hajrullan.

Në prangat e policisë u vu Muharem Koroveshi i njohur edhe si Muharem Ismali apo Muharem Myftaraj, si dhe u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij.

Voxnews.al mëson se të tre ishin duke bashkëpunuar për të ekzekutuar Hajrullan, një emër tepër i njohur për policinë dhe që i ka shpëtuar më herët dy atentateve.

Inez Hajrulla është një emër i cilësuar si kontingjent kriminal për Policinë, i cili i ka shpëtuar dy atentateve, fillimisht në vitin 2017 dhe më pas në 2019.

Atentati i 2017

Ky atentat u krye me lëndë eksplozive në automjetin e tij, ku humbi një këmbë. Atentati ndodhi një prej lokaleve, që në Vlorë njihet si vendi që frekuentohej nga Edison Harizaj, një prej të fortëve të Vlorës, i vrarë në Durrës. Hajrulla dyshohet se është pjesë e grupit të Harizajt. Hajrulla është djali i një biznesmeni të njohur në qytetin bregdetar dhe njihet si person me rrezikshmëri.

I riu është dënuar dy herë. Në shkurt 2018, Hajrulla ka marrë një dënim me dy vite heqje lirie për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Dënimi kishte lidhje pikërisht me armën që iu gjet gjatë atentatit me eksploziv, të ndodhur në nëntor të 2017, por ky dënim u pezullua duke e lënë të riun në shërbim prove. Gjithashtu, në fund të vitit u dënua me 8 muaj për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Inez Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçarin Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”. Përveç zhdukjes së 25-vjeçarit, Hajrulla dyshohet se është përshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale, të cilat janë ende të pazbardhura.

Atentati i 2019

Hajrulla po qëndronte në një kafene në kompleksin “Oslo” në zonën e Lungomares, në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur papritur nga dy makina janë lëshuar breshëri automatiku.

Qitësit me sa duket kanë qenë amatorë, pasi asnjë nga plumbat nuk ka kapur objektivin, por është plagosur krejt rastësisht një punonjës i bashkisë së Vlorës i quajtur Dajko Cenodemaj, 58 vjeç, i cili po pinte kafe me tre miq të tij.

Autorët u larguan duke i djegur dy makinat në zonës e Babicës, njëra prej të cilëve Land Rover, që nga hetimet rezultoi të ishte me targa të vjedhura ku dhe janë sekuestruar dy automatikë të djegur.