
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po përballen me vështirësi të vazhdueshme për të komunikuar me familjet e tyre përmes telefonit. Kështu thanë avokatët e tyre të mërkurën në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, derisa e paraqiten problemin para trupit gjykues.
Siç treguan avokatët, ka në vazhdimësi ndërprerje gjatë bisedave.
Për Kadri Veselin kjo situatë është e papranueshme dhe ndërhyrje në të drejtat e tij, tha avokati Dixon.
Kërkesa jonë ka të bëjë me problemin e vazhdueshëm të zotëri Veseli, për të paktën muajt e fundit për të pasur mundëis për të folur me fëmijët e tij përmes telefonit. Zotëri Veseli e ka të vështirë të bisedojë me ta përmes telefonit sepse ka ndërprerje të vazhdueshme… Zotëri Veseli mban qëndrimin se situata është e papranueshme që ka ndërhyrë në të drejtat e tij dhe që ka pasur ndikim në përgatitjen e çështjes së mbrojtjes”, tha mbrojtësi i Veselit, avokati Dixon.
Të njëjtin shqetësim e ndau edhe avokati kryesor i Thaçit, Luka Misetiq.
Misetiq: Thaçi ka probleme gjatë bisedimeve me gruan dhe djalin
“Dua të ju vë në dijeni se të njëjtin problem e dhe zotëri Thaçi sa i takon bisedave me të shoqen dhe djalin e tij, këtë doja që ta bëja të qartë për procesverbal”, tha Misetiq.
Ish-eprorët e UÇK-së ngarkohen për krime të pretenduara të luftës për të cilat të gjithë prej tyre janë deklaruar të pafajshëm.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 dhe çështja e prokurorisë ka përfunduar pas dy vjet të procesit gjyqësor.