Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi: Sorensen me vizitë të “befasishme” në Prishtinë dhe Beograd

 
   

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, erdhi në një vizitë të befasishme dhe të shkurtë në Prishtinë, të enjten.

Në Qeveri, ai u takua me zëvendëskryeministrin për dialog, në detyrë, Besnik Bislimi.

Por, para nisjes drejt kryeqytetit të Serbisë, emisari i bllokut 27-anëtarësh nuk dha asnjë informacion lidhur diskutimin që pati me kryenegociatorin e Kosovës.

“Jam në Prishtinë sot në kuadër të zbatimit të mandatit. Takimet e nivelit punues me stafin tim po vazhdojnë. Kjo është vetëm një nga vizita disa vizitat e rregullta që do të shihni. Jam i lumtur që ju shoh këtu, por do të vazhdoj për në Beograd e pastaj në Bruksel. Kaq”, ka thënë Sorensen.

Pa hollësi dhe jo konkrete, ishte edhe komunikata e zyrës së kryenegociatorit Bislimi.

“Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, kanë thënë nga Kryeministria.

Paraprakisht, Përfaqësuesi i Posaçëm, Sorensen, u takua me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, me të cilin diskutoi rreth situatës së sigurisë në rajon.

“Komandanti i nënvizoi përpjekjet e KFOR-it në garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në bashkërendim të përhershëm. Gjeneral Barduani theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, me qëllim sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Si pasojë e bllokadës në Kuvend vizita e dytë e Sorensen në Prishtinë, që kur mori mandatin në fillim të Shkurtit, gjeti Kosovën pa institucione të reja.

Vizita e diplomatit danez vjen pas paralajmërimit nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas, se në muajin Maj do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë.