
Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, thotë se po bëhet zvarritja e emrit të Albulena Haxhiut.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai thotë se emri i saj nuk Meriton të tërhiqet zvarrë nga gjithkush, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
“Tërheqja zvarrë e emrit të Albulena Haxhiut… Sinqerisht më vjen keq për zvarritjen e emrit të Albulena Haxhiut në Kuvend, nëpër media e portale të mira e të dyshimta, si dhe në përgjithësi në opinion.
Mund të ketë dikush vërejtje ndaj punës së saj si deputete apo si ministre (për personin e Albulena Haxhiut nuk dua të flas sepse nuk e njoh aq mirë sa të shpreh mendime), mund të kritikohet apo lavdërohet puna e saj, por Albulena Haxhiu nuk e meriton që emri i saj të tërhiqet zvarrë nga gjithkush, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjërë.
Personalisht mendoj se Vetëvendosja është dashur dhe duhet t’i ruajë kuadrot e veta më të rëndësishme dhe jo t’i djegë ato. E Albulena Haxhiu është përfundimisht një prej figurave më të njohura të kësaj partie prej vitesh”, shkruan Cani.
Ai tutje, thotë se Haxhiu është një prej aseteve të Vetëvendosjes dhe paraqitja e saj si një prej problemeve më të mëdha në Kosovë, me siguri që nuk është në rregull.
“Nuk e kuptoj fare Vetëvendosjen pse e ka nxjerrë zonjën Haxhiu në votim në Kuvend, nëse nuk ka qenë e sigurt se i ka votat. Nuk e kuptoj as zonjën Haxhiu pse ka pranuar të dalë në votim nëse nuk ka qenë e sigurt se do të marrë postin e kryetares së Parlamentit.
Tërheqja tani zvarrë e emrit të Albulena Haxhiut në Parlament, tallja me kandidaturën e saj nga gjithsecili në Kuvend, në media dhe nga analistët e dyshimtë, paraqitja e saj si një prej problemeve më të mëdha në Kosovë, thjesht nuk është në rregull.
Nga ana tjetër, e kuptoj që edhe VV dhe Albulena Haxhiu e kanë vështirë tani të tërhiqen nga kjo kandidaturë, sepse mendojnë se do të paraqitej si humbje, si dështim.
Më e keqja është që pavarësisht epilogut, madje edhe nëse votohet si kryetare i Parlamentit, emri i saj do të ndërlidhet gjithmonë me këto (nos)votime.
Sinqerisht më vjen keq (pavarësisht kritikave që mund të ketë ndaj punës së saj si deputete e ministre), sepse zonja Haxhiu është një prej aseteve të Vetëvendosjes.
Kur thua Vetëvendosje, menjëherë të shkojnë në mend disa emra: Albini, Glauku, Albulena…
Edhe njëherë, puna e secilit ministër e deputetë, puna e secilit politikan e politikane duhet të vlerësohet e kritikohet. Por paraqitja tani e Albulenës si një prej problemeve më të mëdha në Kosovë, me siguri që nuk është në rregull! Si duhet vepruar? Këtë e dinë VV dhe vetë zonja Haxhiu!”, përfundon Cani.