
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i është përgjigjur deklaratës së deputeti të Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur apo të fshehtë.
Cakolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.
“Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se “në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse ‘është më i lehtë’ për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe”.
“Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë. Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit”, ka shkruar ai.
Tutje Cakolli ka thënë se “Çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë rrjedhës së procedurës përbën shkelje të sigurisë juridike. Në një rend demokratik, rregullat nuk ndërrohen rrugës. Deputetët, partitë – dhe mbi të gjitha qytetarët – duhet ta dinë që në fillim se si merret një vendim. Një proces që nuk është i parashikueshëm, nuk mund të quhet i drejtë”.
“Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme. Nëse sot mund të ndërrohet forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër mund të ndodhë e njëjta për Qeverinë, apo për secilën çështje tjetër me peshë politike”, thotë Cakolli.
Sipas tij, parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre.
“Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake”, ka shkruar Cakolli.
Ministri në detyrë dhe deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Muratiki, pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur apo të fshehtë.
Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pavarësisht kësaj disa organizata të shoqërisë civile dhe parti opozitare e kanë shpallur këtë formë si anti-kushtetuese, duke thelluar më tej krizën për konstituimin e Kuvendit”.