
Në 27-vjetorin e rënies së Bahri Fazliut familjarë, bashkëpunëtorë e krerë shtetërorë kanë bërë homazhe tek varri i tij duke e vlerësuar si figurë e rëndësishme për çlirimin e vendit, raporton KosovaPress.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti teksa vendosi kurora lulesh tek varri i Bahri Fazliut, figurën e tij e konsideroi si shembull të luftëtarit çlirimtarë edhe para luftës çlirimtare.
“Edhe sot në 27-vjetorin e rënies heroike të Bahri Fazliut bëjmë homazhe bashkë, sepse Bahri Fazliu është shembull i luftëtarit çlirimtar edhe para luftës çlirimtare. Kemi pasur shumë veprimtarë të cilët e kanë përgatitur luftën e në mesin e tyre ndër më të shquarit është Bahri Fazliu që mbante pseudenimin Gzimi. Shkrimet e tij analitike, poezitë e tij romantike, atdhedashuria e tij e pa fund dhe aksionet e betejat në të cilat mori pjesë padyshim që e bëjnë atë një shembull të gjallë jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjenerata që do të vijnë se si duhet atdheu, si punohet për çlirim, si luftohet për bashkim”, theksoi Kurti.
Homazhe tek varri i Bahri Fazliut bëri edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se familja Fazliu është një bërthamë e lirisë së Kosovës.
“Një bërthamë e lirisë tonë, e lirisë kombëtare e çlirimit buron tek familja Fazliu jo vetëm tek Fahria e Bahriu që e kujtojmë sot por edhe më gjerë tek lidhjet e tyre të lirisë me familjet veç e veç e familjen Zhitia dhe gjitha lëvizjet tjera të asaj kohe. Akti i rënies së lirisë në altarin e lirisë të Bahriut në brezin kufitar në trekëndëshin kufitar që na ndan padrejtësisht është porosia më e mirë e lirisë që është përçuar nga kjo familje”, tha ai.
Xhaxhain e tij e kujtoi sot edhe nipi i tij, Fahri Fazliu i cili tha se sot ndjejnë edhe më shumë dhimbje pasi babai i tij Fahri Fazliu po mbahet padrejtësisht në Hagë.
“Sot po bëhen 27 vjet nga rënia heroike e xhaxhait tim. Sot ishte një ditë më me dhimbje për ne dhe familjen sepse babai i cili gjendet në Hagë padrejtësisht po mungon pas 27 viteve që ka qenë prezent në çdo përvjetor. Ne Bahriut i kujtojmë vetëm poezitë e tij që i ka lënë ‘Edhe vdekjen do ta puthë, kur lufta do të kërkoj edhe nga varret do të ngrihem e luftën kurrë nuk do ta pushoj’”, tha ai.
Heroin, Bahri Fazliu e kujtuan dhe nderuan sot në 27-vjetorin e rënies edhe bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e tij.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajli Latifi si shoku i ngushtë i Fazliut tha se ai ka qenë djalë i zgjuar dhe i përgatitur si moralisht ashtu edhe politikisht.
“Qoftë për shkak se ka qenë një djalë i zgjuar, i përgatitur në aspektin moral, politikë, një atdhetar i dëshmuar, një udhëheqë i shquar, një ideolog një mësues i mire jo vetëm për mua por për shumë nga brezi im sepse ka qenë dhe mbete udhërrëfyes se si të ecet si të punohet si të luftohet dhe se si të vdiset për liri. Rënia e tij me 7 më 1998 në tre kufirin që e ndan shqiptarët, Kosovë, Mali Zi Shqipëri është humbje e madhe e pa kompenzueshme për lëvizjen çlirimtare, për lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës”, deklaroi Latifi.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati u shpreh se Bahri Fazliu ishte figurë qendrore e përpjekjes së popullit shqiptar për liri.
“Sot kujtojmë një prej figurave qendrore të përpjekjeve tona për liri. Sot 27 vjet ai ka rënë në betejë me forcat serbe, tërë jeta e tij ka qenë jetë e një veprimtari kushtuar lirisë së Kosovës”, theksoi ai.
Më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi ra heroikisht Bahri Fazliu.
Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi” e cila botohej nga LKÇK-ja. Bahri Fazliu ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor të vitit 1989 bashkë me Afrim Zhitinë bien heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.