
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT, tha se zgjedhjet nuk janë opsioni i parë për ta zgjidhur krizën, por nëse nuk formohet qeveria, atëherë ato bëhen të domosdoshme.
Ai tha se duhet të lëvizin afatet kushtetuese pas konstituimit të Kuvendit, për të parë nëse është e mundur formimi i qeverisë.
“Çfarë po themi ne, përveç asaj që zgjedhjet, natyrisht nëse mbeten si opsion i fundit, duhet ta bëjmë edhe atë, atë rrugëtim. Mirëpo ne nuk jemi për zgjedhje si opsioni i parë. Ne duhet të sigurohemi që lëvizin afatet kushtetuese dhe këtu afati i parë kushtetues që lëviz pas konstituimit të Kuvendit është që për Qeverinë. Është ai i mandatarit. Është dyjavshi i parë i fituesit të zgjedhjeve, pastaj është e drejta e presidentes për t’ia dhënë sërish të parit ose dikujt tjetër. Pra, në momentin që konstituohet Kuvendi, fillojnë afatet, nëse brenda atyre afateve nuk kemi qeveri, atëherë detyrimisht do të shkojmë në zgjedhje,” tha Çeku.
Sipas tij, nesër është një mundësi e rëndësishme për deputetët që të zhbllokojnë situatën.
“Fillimisht duhet ta bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe nesër është edhe një mundësi për partitë tash kushtimisht opozitë, sepse për momentin aty të gjithë janë të barabartë, janë deputetë, njëqind e njëzet, për ta zhblloku këtë situatë dhe për të ecur tutje,” deklaroi Çeku.