1
Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që u mbajt në Tiranë, publicisti i njohur dhe ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, i ftuar në “Balkan Talks”, tha se është jashtëzakonisht pozitive që kancelari gjerman, Friedrich Merz, vizitoi Shqipërinë.
Ai zbuloi edhe një porosi të rëndësishme që kancelari ia drejtoi liderëve evropianë gjatë samitit.
Sipas Cufajt, porosia e Merz për kolegët e tij ishte shumë e qartë: “Evropa duhet të nisë menjëherë bisedime serioze për bashkëpunim me SHBA-në, pasi nuk mund të përmbushë objektivat e saj pa mbështetjen amerikane”
“Ajo që, sipas asaj që më thonë miqt e mi në politikën gjermane, por edhe mediat, ishte një porosi shumë interesante nga kancelari Merz, ndryshe nga një pjesë e mirë e kolegëve të tij. Porosia e kancelarit gjerman ishte shumë e qartë: ai kërkonte dhe insistonte që Komuniteti Politik Evropian të fillojë bisedime serioze me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse Evropa, edhe me armatën e saj të madhe, nuk do të mund të arrijë aq shpejt sa mendojmë ne, apo kolegët tanë, dhe se kjo mund të bëhet vetëm me ndihmën e SHBA. Kjo porosi është një mesazh i mirë dhe i qartë”, tha Beqe Cufaj.
Cufaj shtoi se Merz, vetëm dy ditë para samitit, kishte prezantuar programin e tij qeverisës në Bundestag, dhe fakti që zgjodhi të vizitojë Shqipërinë tregon rëndësinë që Gjermania po i jep Ballkanit Perëndimor.
“Nëse shohim tematikat e trajtuara sot në samit, çështja e parë ishte ajo e sigurisë – sidomos me praninë e presidentit të Ukrainës – ndërsa paralele ishin edhe bisedimet në Stamboll. Aspekti i dytë i rëndësishëm ishte emigracioni, veçanërisht për vendet anëtare dhe për Britaninë. Çështja e tretë, që për mendimin tim duhej trajtuar, ndonëse për shkak të kohës mbase nuk u nisedua, ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik”, tha Cufaj.