Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kuçi: Serbët e Kosovës po i afrohen institucioneve tona, por po ngarkohen nga propaganda e Serbisë

 
   

Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus vlerëson se qytetarët serbë në Kosovë janë ende konfuzë për shkak se për një kohë të gjatë janë duke u mbajtur në propagandë nga Serbia.

Por megjithatë, siç u shpreh, serbët e Kosovës kanë filluar të ndryshojnë dhe t’i pranojnë institucionet e Kosovës.

“Kemi rastin e fundit, ku ka pasur persona që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e institucioneve të sigurisë së Kosovës, ndërsa ka pasur edhe persona të këtyre grupeve që i kanë kërcënuar pse këta persona po aplikojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, dhe nga ajo që shohim në terren është që ata vazhdimisht kanë një besim më të madh te institucionet e Policisë së Kosovës, sepse është treguar praktikisht që ata janë vetëm duke i përndjekur strukturat ilegale e kriminale, por assesi duke bërë ndonjë gjë të pa-duhur drejt qytetarëve serbë”, deklaroi Kuçi.

Më tej ai shtoi se e rëndësishme është që qytetarët serbë nuk e kanë presionin që e kanë pasur në të kaluarën, por se mbesin prapë në konfuzionin i cili duhet kohë që të kalohet.

“Duhet që edhe institucionet e Kosovës të vazhdojnë të bashkëpunojnë me serbët atje që të tregojnë vërtetë që institucionet e Kosovës i përkasin gjithë qytetarëve që jetojnë brenda Republikës”.

Sipas Kuçit, tashmë edhe prishur edhe strofulla ilegale e strukturave ilegale serbe e financuar nga Vuçiqi, por se kjo nuk do të thotë që nuk ka ende.

“Vazhdojnë të gjenden armë në veri të vendit, vazhdojnë të gjenden vatrat ku ata i ruajnë armët e tyre që t’i përdorin në momente të caktuara. Por këto armë, siç e kemi parë deri më tani, nuk i përkasin qytetarëve, por grupeve kriminale”, përfundoi ai.