
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka qëndruar në Mitrovicën e veriut, ku me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile ka diskutuar për rastet e ngacmimeve seksuale. Ajo ka thënë se drejtësia, barazia dhe dinjiteti janë vlera që nuk negociohen.
“Me përfaqësues nga policia, prokuroria dhe gjykata, diskutuam për rastet e ngacmimeve seksuale. Çdo raportim për ngacmim seksual dhe dhunë, pavarësisht etnisë apo vendndodhjes së viktimës do të trajtohet me profesionalizëm”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.
Ajo ka ftuar këdo që përjeton apo dëshmon raste të tilla të raportojë menjëherë pranë institucioneve përgjegjëse.
“Jemi të përkushtuar për të krijuar dhe ruajtur një mjedis të sigurt sepse çdo person ka të drejtën të ndihet i mbrojtur dhe i vlerësuar, pa frikën e ngacmimeve apo abuzimeve me natyrë seksuale”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, “drejtësia, barazia dhe dinjiteti janë vlera që nuk negociohen. Së bashku, mund të ndërtojmë një shoqëri ku respektohet çdo individ dhe ku ngacmimi seksual nuk ka vend”.