
Sulm brutal dhe i papranueshëm po konsiderohen reagimet e zyrtarëve qeveritarë karshi sistemit prokurorial pas intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci dhe bastisjeve në këtë ministri dhe disa agjenci vartëse.
Ministri në detyrë Peci është intervistuar dje nga Prokuroria Speciale e Kosovës si i dyshuar lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Pas tij u intervistua edhe kryeshefi i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Bekim Hoxha.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj tha se reagimet e tilla që vijnë nga pushteti ekzekutiv janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe cenojnë besimin e qytetarëve në këtë sistem, raporton KosovaPress.
Jakaj: Këto përbëjnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë
“Këto përbëjnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, këto që kemi thënë ne janë vërtetuar edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare dhe raportet tjera vendore në Kosovë…e rrezikojnë funksionimin edhe e politizojnë institucionet e drejtësisë. Në anën tjetër, cenojnë besimin e publikut në këto organe, sepse paramendoje situatat kur një parti politike kur dy gratë më të votuara në Kosovë dhe kanë marrë besimin e atyre qindra qytetarëve, ato flasin kundër sistemit të drejtësisë duke mbrojtur ministrat, të cilët tashmë janë objekt i hetimit penal nga sistemi i drejtësisë. Një qasje e tillë është edhe kundër parimeve të kushtetutshmërisë në Kosovë parime të ndarjes së pushteteve. Në anën tjetër, është edhe kundër parimeve të demokracisë edhe për më tepër përbëjnë praktikë të dëmshme të vlera për të cilat Kosova i ka në nenin 7”, tha Jakaj.
Jakaj për KosovaPress thotë se fakti që shumë lehtë mund të etiketohen prokurorët, është e rrezikshme dhe e dëmshme që ata ta kryejnë punën me integritet dhe pavarësi.
Jakaj: Fakti që kaq lehtë etiketohen prokurorët, është e rrezikshme dhe e dëmshme
“Fakti që kaq lehtë flitet, fakti që kaq lehtë cenohet, fakti që kaq lehtë dëmtohet, fakti që kaq lehtë mund të thuhet dhe të etiketohen prokurorët në sistemin e drejtësisë është e rrezikshme dhe e dëmshme që ata ta kryejnë punën me nder dhe integritet, funksionalitet dhe pavarësi nga ana e sistemeve tjera nga ana e sistemit tjerët, apo pushtetit ekzekutiv”, tha ai.
Sulm brutal ndaj pavarësisë së institucionit të Prokurorit të Shtetit, akuzat e pushtetit karshi prokurorit Admir Shala dhe gjithë sistemit prokurorial i quan edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Bugaqku: Sulm brutal ndaj pavarësisë së institucionit të prokurorit të shtetit
“Ky është një sulm brutal ndaj pavarësisë së institucionit të prokurorit të shtetit, edhe mënyra se si e atakojnë vetë objektin e hetimit duke aluduar si njëfarë lloj propagande e prokurorisë dhe sistemit prokurorial ndaj qeverisë është e papranueshme. Kjo do të manifestohet nëpërmjet raporteve të ndryshme ndërkombëtare dhe do të jepet vërejtje e madhe për faktin se politikanët, sidomos ata në pushtet, tashmë e kanë bërë normë të punës sulmin dhe atakimin e sistemit prokurorial dhe është një lloj tendence që të pengojë hetimin e mirëfilltë të institucioneve të pavarura”, shprehet Bugaqku.
Sipas Bugaqkut ndërhyrjet e tilla nënkuptojnë se gjykatat dhe prokuroritë nuk janë të pavarura.
Bugaqku: Gjykatat e prokuroritë nuk janë të pavarura
“Kjo nënkupton që gjykatat dhe prokuroritë nuk janë të pavarura dhe çfarëdo deklarimi mbi procedurat hetimore ose mbi aktakuzat e ngritura i bie në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikim në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe madje ky lloj ndikimi manifestohet në kuptimin e asaj që është edhe vendim në vendimmarrje, sepse përmes një presioni publik dhe politik shpërfaqet tendenca e akterëve në fjalë që ta diktojnë dhe të bëjnë presion që sistemi gjyqësor dhe prokurorial mos ta bëjnë punën si duhet”, u shpreh Bugaqku.
Nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës kanë thënë se me shqetësim ka përcjellë reagimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës “pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e një zyrtari të lartë në cilësinë e të dyshuarit”.
“Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagim.
Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe “të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve”.
Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, zhvilloi të martën bastisje në Ministrinë e Bujqësisë.
Prokurori i rastit, Admir Shala tha më 27 maj se Prokuroria Speciale ka nisur një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci u intervistua si i dyshuar. Më pas pati reagime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë.
Donika Gërvalla, ministre e Jashtme në detyrë dhe bashkëkryetare e GUXO tha intervistimi i Pecit ishte “inskenim i gërditshëm” nga kryeprokurori Isufaj.
Përveç Gërvallës, edhe vetë GUXO lëshoi një deklaratë duke ngritur dyshime për “paanshmërinë e hetimeve”. Në mbështetje të Faton Pecit doli edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.