Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sistemi i integruar kufitar me një pikë kontrolli nis dhe në Glloboçicë

 
   

Pas pikës kufitare në Bllacë, sistemi i integruar kufitar me një pikë kontrolli ka nisur të zbatohet prej sot edhe në vendkalimin kufitar Glloboçicë.

Policia e Kosovës kryen kontroll për hyrje, ndërsa ajo e Maqedonisë për dalje nga Kosova. Në përurim ishin të pranishëm ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij, Pançe Toahkovski.

 “Unë besoj se kjo do të sjellë të mira për qytetarët e dy vendeve e posaçërisht për banorët e kësaj zone kufitare, të cilët do të mund të kalojnë këto procedurat e kalimit kufitar shumë shpejt. Por, në të njëjtën kohë, ashtu siç biseduam edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, po vërehet një bashkëpunim shumë i mirë i dy policive, në mënyrë që të parandalohet çfarëdo keqpërdorimi apo çfarëdo vepre në kuptimin e shkeljeve ligjore apo sa i takon kufirit”, ka thënë Sveçla.

“Me lëshimin në funksion edhe të kësaj pike kufitare e integrojmë kufirin me Kosovën. Mundësojmë transferim më të shpejtë të qytetarëve mes dy shteteve tona. Lëshimi në funksion të pikës kufitare në Bllacë është dëshmuar si shumë funksional. Shpresoj që edhe kjo pikë kufitare do të ketë transferim më të shpejtë të qytetarëve tanë me qëllim që të kemi komunikim më të mirë si dy shtete”, ka thënë në anën tjetër, ministri maqedonas, Toshkovski.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

“Sot e bëjmë Tetovën më afër me Prishtinën dhe qytetet e tjera, pra dëshmojmë se dy qeveritë, janë qeveri në shërbim të qytetarëve në realizim të projekteve që e lehtësojnë qarkullimin e tyre, edhe qarkullimin e mallrave dhe mendoj se edhe në Jazhincë është një kontribut në funksion të qytetarëve dhe të lëvizjes së tij”, ka thënë ai.

Mexhiti paralajmëroi se vendkalime të përbashkëta kufitare Maqedonia e Veriut planifikon të hapë edhe me Shqipërinë dhe Serbinë.