
Protesta e biznesmenëve në Prishtinë kundër detyrimit për të blerë energji nga tregu i hapur është bërë lajm ndërkombëtar.
Agjencia prestigjioze Reuters raportoi për bllokimin e rrugëve nga qindra biznese, që paralajmërojnë trefishim të faturave të energjisë si pasojë e vendimit të rregullatorit kosovar, transmeton klankosova.tv.
Gjeni më poshtë detajet nga raportimi i Reuters.
”Qindra pronarë biznesesh bllokuan rrugët hyrëse në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, të enjten, për të protestuar kundër një vendimi rregullator që i detyron ata të blejnë energji elektrike nga tregu i hapur – një masë që, sipas tyre, mund t’ua trefishojë faturat e energjisë.
Rregullatori i energjisë njoftoi në mars se nga data 1 qershor, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose një qarkullim mbi 10 milionë euro nuk do të përfitojnë më nga subvencionet qeveritare që e bëjnë energjinë elektrike në Kosovë ndër më të lirat në Evropë.
Rregullatori tha se kjo masë pasqyron përkushtimin e tij ndaj “liberalizimit të tregut”, një nga kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Por bizneset paralajmëruan se vendimi do të dëmtojë ndjeshëm fitimet e tyre.
Kamionë, furgonë të vegjël dhe punëtorë me uniforma bllokuan disa nga rrugët kryesore në Prishtinë. Një prani e madhe e policisë monitoronte protestat.