
Në Prishtinë ka nisur sot edicioni i tretë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temën “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”. Në këtë forum po marrin pjesë rreth150 folës nga 45 vende të botës. Në hapje u theksua nevoja për trajtimin e plagëve të luftës, ku u tha se tema e sivjetme e këtij edicioni është thirrje për paqe. Pas fjalimeve të para, presidentja Vjosa Osmani ka bërë ndarjen e medaljeve presidenciale për nënat e Srebrenicës.
Osmani tha se para më shumë se dy dekadave, fëmijët e Kosovës panë e përjetuan tmerret e luftës.
“Pak më shumë se dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi panë tmerrin që asnjë fëmijë nuk duhet ta përjetojë, dhe nënat i humbën dhe i varrosën fëmijët e tyre si pasojë e luftës. E megjithatë, në orët më të errëta, ishin gratë e këtij vendi ato që na mbajtën zemrat e thyera të bashkuara. Siç e dini, ato kurrë nuk pranuan të shiheshin si viktima, por si ndërtuese, si ndërtuese të paqes. Ato luftuan jo vetëm për lirinë tonë, por edhe për drejtësi, për dinjitet dhe për një të ardhme që ia vlen të jetohet. Dhe ato vazhdojnë ta bëjnë këtë çdo ditë që kalon. Tregimet me të cilat u rritën fëmijët e Kosovës nuk ishin të zakonshme për fëmijëri, por tregime të formësuara nga lufta. Tregime të grave që qepnin së bashku atë që lufta përpiqej ta copëtonte. Të fëmijëve që kapeshin pas librave ndërsa fshiheshin nga bombardimet dhe nga zjarri i snajperëve. Të ëndrrave të thyera, por përkundër këtyre ëndrrave të thyera, të shpresës dhe besimit të vazhdueshëm, të fqinjëve që u bënë mburojë, dhe të asaj heshtjeje të padurueshme pas çdo shpërthimi, ku dëgjohej vetëm rrahja e zemrës së një nëne që kërkonte fëmijën e saj”, deklaroi Osmani.
Tema e këtij viti, “Kodi i Sigurisë për Gjeneratën Tonë”, Osmani tha se është thirrje për të ndërprerë ciklet e dhunës dhe për ndërtimin e paqes.
Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, kryetarja e shtetit u shpreh se luftërat pas vetës lënë dëm ndërbreznor.
“Është dëmi i heshtur ndaj ndjesisë së sigurisë së një fëmije. Plaga e padukshme që mbartet nga mendjet e reja. Është dhimbja e padurueshme e humbjes së një prindi, një vëllai, një të dashuri, një shtëpie, e të bërit refugjat. Dhe siç kemi dëgjuar sot nga ndërtuesit tanë të paqes, madje edhe të jesh dëshmitar i përdhunimit të nënës sate – ajo dhimbje nuk shuhet kurrë. Janë pyetjet që nuk marrin përgjigje. Janë të ardhmet që nuk marrin kurrë formë të plotë. Janë fëmijët ata që e bartin barrën e luftës në moshën e rritur. Por fëmijët nuk janë vetëm viktima. Ata janë gjithashtu ndërtues të ardhshëm të paqes, presidentë të ardhshëm, mbrojtës të drejtësisë. Prandaj, nëse nuk investojmë në ta sot, i lëmë konfliktet të formësojnë të nesërmen. Për këtë arsye ekziston ky forum. Për të ngritur zërat që lufta u përpoq t’i heshte. Për të fuqizuar ata që refuzuan të thyhen. Për të ndërtuar të ardhme atje ku të tjerët u përpoqën të mbjellin frikë dhe dhimbje”, shtoi Osmani.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha para të pranishmëve se Kosova është dëshmi e gjallë se si u ngrit nga hiri dhe e shndërroi traumën e dhunën në forcë.
E kreu i shtetit të Antigua dhe Barbuda, guvernatori i përgjithshëm, Rondey Ëilliams tha se plagët e luftës nuk marrin fund me përfundimin e luftës.
“Udhëtimi i kombit tuaj nga konflikti në vetëbesim është një dëshmi e fuqisë së këmbënguljes dhe qëllimit. Që takohemi në këtë tokë, dikur e shkatërruar nga lufta dhe sot në përpjekje për paqe, nuk i shpëton askujt prej nesh. Na kujton se paqja nuk është kurrë aksidentale. Ajo fitohet, mbrohet dhe mbahet në jetë përmes vizionit, përfshirjes dhe guximit. Si mjek me profesion dhe kryetar shteti, prej kohësh kam vërejtur se paqja dhe shëndeti janë thellësisht të ndërlidhur. Asnjëri prej tyre nuk është thjesht mungesë e sëmundjes apo konfliktit, por prani e ekuilibrit, dinjitetit dhe shpresës. Qoftë duke trajtuar trauma në një klinikë, apo duke avokuar për drejtësi në një komb, detyra është e njëjtë – të rikthejmë tërësinë”, u shpreh ai.
Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ai tha se gjatë kohës sa kishte lexuar për Kosovën është prekur me çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Në përgatitje për këtë fjalim, u riktheva te historia e Kosovës dhe u ndjeva veçanërisht i prekur nga trashëgimia e presidentes Atifete Jahjaga, presidentja e parë grua e Kosovës. Vendimi i saj i guximshëm për ta vendosur në qendër zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale në procesin e shërimit kombëtar nuk ishte vetëm simbolik, ishte strukturor. Ajo e tregoi se çfarë mund të duket udhëheqja dhe çfarë duhet të përfshijë paqja. Sot flasim për siguri globale, por duhet të flasim gjithashtu për plagët lokale, sepse trauma e luftës nuk përfundon kur ndalet lufta. Ajo qëndron në shtëpi, në klasa, në mendjet e fëmijëve që ndalojnë së ëndërruari, dhe në gratë që mbajnë plagë të heshtura. Stresi post-traumatik nuk kufizohet vetëm te ushtarët – ai përhapet në jetën e përditshme të komuniteteve tona”, tha ai.
Përfaqësuesja e posaçme e sekretarit të NATO-s, Irene Fellin tha se pjesëmarrja e grave në ndërmjetësim paqeje mundëson arritjen e një marrëveshjeje.
“Kur flasim për përfshirje, flasim për të drejtën e grave për të kontribuar në shoqëri. Dhe kur e shikojmë nga perspektiva operacionale, e kuptojmë se kjo nuk është vetëm çështje morali, por një zgjedhje strategjike – sepse lidhet me misionin tonë. Nga përvojat tona operacionale kemi kuptuar se nuk mund t’i arrijmë objektivat tona nëse nuk marrim parasysh perspektivat dhe nevojat e ndryshme të grave dhe burrave. Kur planifikojmë një operacion, duhet ta planifikojmë atë duke e ndërtuar mbi parimet gjinore. Dhe kjo na kthen te ajo që thashë më herët: stërvitja dhe përgatitja, për të qenë gati në rast të ndonjë zhvillimi. Nëse duam të shkojmë përtej thelbit të NATO-s, i cili është parandalimi dhe mbrojtja, atëherë duhet të kujtojmë atë që kemi mësuar nga kërkimet tona: pjesëmarrja e grave në ndërmjetësim paqeje dhe negociata e rrit mundësinë që të arrihet paqe, dhe që marrëveshjet e paqes të jenë më të qëndrueshme. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, se gratë sjellin një perspektivë tjetër”, deklaroi ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se gratë e fëmijët gjithmonë paguajnë çmimin më të rëndë të luftës.
“Pavarësisht mizorive të pathëna të kryera nga regjimi i Millosheviqit, Kosova nuk ra kurrë pre e hakmarrjes së verbër. Përkundrazi, ajo punoi pa pushim për ta shndërruar dhimbjen në forcë, për të përfunduar luftërat dhe shmangur konfliktet, investoi në lirinë dhe sovranitetin e kombeve dhe popujve. Realiteti i sotëm që flet ky forum, flet vetë. Ai përkthehet dhe pasqyron dëshirën e madhe dhe ndjenjën e thellë të njerëzimit të Kosovës, angazhimin e saj për paqe, për fuqizimin e grave në çdo fushë të jetës, përfshirë edhe si ndërtuese të paqes dhe garantuese të sigurisë“, deklaroi ajo.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, organizohet nën udhëheqjen e presidentes, Vjosa Osmani.
Sot dhe nesër do të mbahen mbi 30 panele diskutime me mbi 150 folës.
Ky është edicioni i tretë, ku tema kryesore e forumit do të jetë “Kodi i Sigurisë për Brezin Tonë”.