
Ushtria izraelite vrau tre palestinezë të tjerë dhe plagosi 35 të tjerë, ndërsa po shkonin për të marrë ndihma nga një pikë shpërndarjeje ndihmash e krijuar nga izraelito-amerikanët në Rafah në Rripin jugor të Gazës, tha një burim mjekësor.
Një burim ka thënë për agjencinë e Anadolu-t se viktimat u qëlluan me armë zjarri izraelite ndërsa ishin në rrugën e tyre për të marrë ndihmë nga një pikë shpërndarjeje ndihmash amerikane në qytetin perëndimor të Rafah-ut.
Sipas zyrës së medias qeveritare të Gazës, të paktën 52 palestinezë janë vrarë dhe 340 të tjerë janë plagosur që kur mekanizmi i ndihmës i prezantuar nga Izraeli hyri në fuqi më 27 maj.
Izraeli ka hartuar një plan për të krijuar katër pika shpërndarjeje të ndihmave në Gazën jugore dhe qendrore, të cilat, sipas mediave izraelite, synojnë evakuimin e palestinezëve nga Gaza veriore në jug.
Sipas Radios Ushtarake të Izraelit, plani i shpërndarjes së ndihmave të Izraelit synon ta kthejë veriun e territorit në një “zonë plotësisht të shpopulluar”.
Mekanizmi u kundërshtua nga bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja, gjë që erdhi si një përpjekje alternative nga Izraeli për të anashkaluar shpërndarjen e ndihmës përmes kanaleve të OKB-së.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare, duke ndërprerë hyrjen e ushqimit, ilaçeve, karburantit dhe furnizimeve të tjera thelbësore për 2.4 milionë banorët e Gazës.
Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdoi të hidhte në erë shtëpi dhe ndërtesa në qytetin lindor të Gazës dhe në Khan Younis lindor në Gazën jugore, thanë dëshmitarët.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 54,400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë që i kanoset më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.