
Profesori Binak Maxharraj ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në Kosovë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ai shpreh shqetësimin e thellë për bllokimin institucional që po zvarritet tash e katër muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke e quajtur këtë gjendje “vandalizëm institucional”.
Në reagimin e tij, profesori kritikon ashpër sjelljen e partive politike, të cilat sipas tij po zhvillojnë një luftë të ashpër për pushtet dhe po pengojnë qëllimisht formimin e institucioneve shtetërore.
Ai i cilëson këto veprime si të dëmshme për demokracinë dhe funksionimin normal të shtetit, ndërsa bën thirrje që edhe presidentja të ndërhyjë për të dalë nga kjo krizë politike.
Postimi i plotë:
VANDALIZMI I PARLAMENTIT TË KOSOVËS
Jemi në muajin e katërt që kur u mbajtën zgjedhjet e nënta parlamentare pas çlirimit.
Populli votoi me dëshirën që t’i ketë institucionet për funksionimin e shtetit, por që atëherë këto nuk po formohen, janë inekzistente.
Kjo ndodh për “hasmërinë” e partive politike, duke zhvilluar një luftë fyt për fyt për pushtet. Inatet mes partive kanë shkuar aq larg, sa që nuk po mund të formohen institucionet për funksionimin e shtetit.
Por a ndërtohet shteti me inate mes veti të partive politike?
LVV e propozoi kandidatin e saj për kryeparlamentar, sepse i takon sipas ligjit dhe rregullave të parlamentit.
LVV e propozoi për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, një aktiviste e devotshme e LVV-së, e ashpër në qëndrime kur është fjala për shtet-funksionimin, por kërkonte edhe llogaridhënie për të gjithë ata që e kanë keqpërdorur shtetin duke e vjedhur dhe plaçkitur atë.
Kjo nuk po i pëlqen opozitës, sepse pjesa dërrmuese e hajnave janë brenda saj – janë bërë milionerë pa asnjë ditë pune.
Thjesht, opozita nuk është kundër që LVV të japë kandidatin për kryeparlamentar, por ajo ka lidhur qykën, inatet me Albulena Haxhiun, dhe kërkon që LVV ta ndërrojë me një tjetër kandidat.
Dhe deri këtu vjen turpi i opozitës, e cila sikur po zgjedh se cilin kandidat duhet që LVV ta propozojë për kryeparlamentar.
Kjo është përzierje flagrante në punët e brendshme të partisë tjetër.
Nuk është në dorën e opozitës të përcaktojë se kë LVV duhet ta propozojë për kryeparlamentar – është punë e LVV-së.
Dhe këtu është lidhur ky cirk vicioz midis partive politike, të cilat shkaktuan bllokadë për formimin dhe funksionimin e shtetit.
Pra, shteti është në bllokadë institucionale jo për shkak të ndonjë sui generis, por thjesht për shkak të inateve ndërpartiake.
Inatet ndërpartiake kanë shkuar aq larg, sa që as deputetët e partive politike “pos msheftasi” nuk guxojnë të takohen mes vete, qoftë edhe për biseda dhe takime personale.
Sjellja e këtillë e deputetëve është vandaliste – ata nuk e meritojnë të jenë deputetë të parlamentit, përveç që janë vandalë të partive politike dhe sillen ashtu siç u thonë bosët e tyre partiakë, duke i vënë kështu partitë politike mbi shtetin.
Radha është që edhe vetë presidentja të merret me këtë punë. Nëse nuk gjen ndonjë zgjidhje, të çojë vendin në zgjedhje të reja.