Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​KEK dhe përfaqësuesit e bizneseve flasin tregun e hapur

 
   

Në ambientet e Korporatës Energjetike të Kosovës u zhvillua sot një takim ndërmjet drejtuesve të KEK-ut dhe përfaqësuesve të bizneseve nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Aleanca e Biznesit, Klubi i Biznesit dhe Shoqata e Prodhueseve.

Sipas njoftimit të KEK-ut, kryeshefi ekzekutiv, Gramos Hashani, së bashku me ekipin menaxhues, njoftoi përfaqësuesit e komunitetit të biznesit lidhur me hapat konkretë që KEK ka ndërmarrë në kuadër të zbatimit të rregullores për Furnizimin e Mundësisë së Fundit (FMF), në përputhje me udhëzimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Nga data 1 qershor 2025, KEK ka filluar furnizimin me energji elektrike për të gjitha bizneset në tregun e hapur si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Ky proces, sipas drejtuesve të KEK-ut, është një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të tregut energjetik dhe garantimit të stabilitetit energjetik për bizneset. Po ashtu, KEK ka filluar me nënshkrimin e kontratave komerciale me ndërmarrje publike dhe subjekte private të interesuara për furnizim të rregullt dhe afatgjatë, duke ofruar një alternativë të besueshme dhe ligjore për tregun e hapur. Gjatë takimit, u theksua se ofrimi i shërbimit si FMF ka afat ligjor deri më 30 korrik 2025. Në këtë periudhë, KEK po punon për të rritur kapacitetet operacionale dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tregut me efikasitet dhe profesionalizëm.

Me kërkesë të OEK-ut, KEK u zotua se do të mbetet e hapur për komunikim dhe sqarime të vazhdueshme për të gjitha bizneset dhe përfaqësuesit e tyre institucionalë, me qëllim që ky tranzicion të zhvillohet në mënyrë të qartë, të drejtë dhe transparente.