
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas takimit trepalësh të mbajtur në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petar Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në reagimin e LDK-së thuhet se Bislimi nuk ka asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
“Mandati i ish-qeverisë, në të cilën z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti, ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në këtë proces”, thuhet në reagim.
LDK e konsideron të papranueshëm çdo angazhim eventual në dialog nga një qeveri në detyrë, duke theksuar se negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe duhet të zhvillohen nga institucione me mandat të plotë.
“Tentimi i Bislimi për ta futur Kosovën në obligime, pa mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor”, theksohet më tej.
Në fund, LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje, duke theksuar se dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë.