
Kadri Kryeziu, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, njëherësh edhe profesor në Fakultetin Juridik në FIVE, ka folur lidhur me ngërçin politik në vend, ku ndër të tjera ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas betimit të dhënë si deputetë, kanë për obligim të krijojnë institucionet e vendit, mirëpo të njëjtit nuk e kanë bërë këtë dhe sipas tij, kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës.
“Deputetët në momentin e dhënies së betimit nënkupton që do t’i krijojnë institucionet, do ta respektojnë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë e shtetit, do të punojnë për funksionimin e shtetit… e kanë dhënë betimin dhe ky betim domethënë atëherë sanksionohet… këtu shkelet Kushtetuta. Në mënyrë komulative, deputetët në përgjithësi e kanë shkelur Kushtetutën, jo individi, se individi nuk e shkel Kushtetutën”, ka thënë ai.
Tutje, Kryeziu është shprehur se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka rol për ta konstituuar Parlamentin.
“Roli i kryesuesit është me e konstituu Parlamentin, detyrë e ka kushtetuese dhe ligjore…”, ka thënë ai, duke shtuar se autoriteti i tij është i procedurës dhe se duhet të jetë në nivel të detyrës.
Ai tutje ka thënë se edhe mosmarrja pjesë në votim nga deputetët është shkelje.