
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka marrë pjesë sot në Paradën e Krenarisë në Prishtinë, duke shprehur përkrahjen e fuqishme për komunitetin LGBT+ në vend dhe më gjerë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori Hargreaves shprehu entuziazmin e tij për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme, duke theksuar se është i lumtur që sheh kaq shumë anëtarë dhe përkrahës të komunitetit të gjallë LGBT+ në Kosovë.
“Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbrojtëse e palëkundur e të drejtave themelore të personave LGBT+, këtu në Kosovë dhe në gjithë botën,” tha ai.
“Unë qëndroj përkrah komunitetit LGBT+ këtu në Kosovë. Kosova ka arsye të jetë krenare për vlerat e saj demokratike, të cilat duhet të ruhen dhe të kultivohen,” u shpreh Hargreaves, duke shtuar se çdo person meriton të trajtohet me dinjitet dhe respekt, dhe të jetojë pa frikë nga dhuna, persekutimi apo përjashtimi – pavarësisht se kush është, kë dashuron apo si shprehet.
Ambasadori britanik përmbylli mesazhin e tij me urimin: “Gëzuar Java e Krenarisë!”