
Me qëllim të eliminimit të dështimit të seancave gjyqësore Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi për pushim zyrtar në sistemin gjyqësor nga 25 korrik deri më 20 gusht për periudhën verore, dhe nga 24 dhjetori deri më 8 janar për periudhën dimërore. E ky vendim është mirëpritur nga njohës të sistemit të drejtësisë të cilët besojnë se një vendim i tillë do të kontribuoj në rritjen e efikasitetit në punën e gjyqësorit.
Gjatë kësaj periudhe të vitit gjyqtarë, prokurorë, avokatë e zyrtarë tjerë do të mbajnë seanca vetëm për rastet me prioritet ligjor dhe raste emergjente, por jo edhe për raste të rregullta. Deri tek ky vendim erdhi pasi gjatë muajit korrik, gusht, dhjetor e janar po ndodhin shtyrje të seancave në mungesë të palëve.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj këtë vendim të KGJK-së e konsideron si hap pozitiv drejt organizimit të punës së këtij institucioni.
Ai shprehet optimist që një vendim I tillë do të sjell efikasitet dhe më shumë rregull në punën e gjykatave.
Miftaraj: Ky vendim kontribuon në rritje të efikasitetit të punës në gjyqësor
“Është një hap shumë pozitiv i Këshillit Gjyqësor të Kosovës me qëllim të organizimit të punës kryesisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ne si monitorues të sistemit të drejtësisë kemi parë që gjatë muajit korrik apo qershor ka seanca kur shtyhen për shkak se gjyqtarët apo prokurorët marrin pushime vjetore. Po ashtu kjo ua lehtëson punën edhe avokatëve të cilët po ashtu në njëfarë mund t’i organizojnë pushimet e tyre. Ky vendim besoj do të sjell më shumë efikasitet dhe më shumë rregull në gjykata në mënyrë që mos të raportojmë se janë shtyrë seancat gjyqësore për shkak qoftë mungesë të gjyqtarit, prokurorit… Kështu që besoj do të vë rregull dhe do t’i edukoj apo disiplinoj të gjitha palët në procedurë“, thekson Miftaraj.
Vendimin për pushim në bllok është mirëpritur edhe nga vetë mbrojtësit e palëve të akuzuara.
Avokati Ardian Bajraktari thotë se ky vendim do të zvogëlojë numrin e rasteve të seancave gjyqësore që shtyhen në mungesë të ndonjërës palë në procedurë.
Bajraktari: Hap pozitiv që të mos kemi shtyrje të seancave gjyqësore
“E vlerësoj si një hap të mirë dhe pozitiv, për faktin se gjykatat do të vazhdojnë gjatë kësaj periudhe vetëm në çështjet të natyrës urgjente, ndërsa për çështjet tjera nuk do të ketë merren në shqyrtim. Vlerësoj se shkon në funksion të rritjes mbi të gjitha të efikasitetit për faktin se siç dihet në këtë periudhë përgjithësisht edhe institucionet tjera punojnë me kapacitete të limituara.. gjatë kësaj periudhe ne kemi pas jo pak raste kur gjatë kësaj periudhe pavarësisht se është punuar kemi pas shtyrje të herë pas hershme të seancave për shkak të mos prezencës së palëve…pavarësisht se nuk ka qenë si rregull e shkruar fundi i korrikut dhe periudha e gushtit thuajse me të gjithë përfshirë edhe neve avokatët është shfrytëzuar për këtë çështje prandaj një vendim të tillë e shoh në këtë linj ndihmon dhe ndikon edhe në drejtim të koordinimit dhe të angazhimit edhe të kohës sonë“, thotë Bajraktari.
Gjatë mbledhjes së KGJK-së më 8 maj të këtij vitit, në të cilin u morë edhe ky vendim, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj deklaroi se pushimi në bllok i gjykatave do të ndikoi që puna e sistemit gjyqësor gjatë periudhës tjetër të vitit të jetë më efikase dhe më e mirëfilltë.
Zogaj: Puna në gjykata do të organizohej në mënyrë më të mirëfilltë
“Kjo do të nënkuptonte që në periudhën tjetër gjykata do të ishte shumë më efikase dhe puna në gjykata do të organizohej në mënyrë më të mirëfilltë. Tek lista esenciale e shërbimeve bashkë me zyrën ligjore të përfshihet edhe veprimet që lidhen me procedurën paraprake për masat e hetimit dhe vëzhgimit sepse mund të jenë procedura që mund ta diktojnë procedurën e hetimeve në raste të caktuara”, deklaroi Zogaj.
KosovaPress ka dërguar pyetje për vendimin për pushimin zyrtar të KGJK-së edhe tek Këshilli Prokurorial i Kosovës, por ky institucion ende nuk e ka shqyrtuar këtë vendim të KGJK-së ndonëse ndërlidhet me punën e tyre.
“Sa i përket vendimit të KGJK-së për pushimin e miratuar për periudhat e caktuara kohore, dhe, meqenëse, ky vendim ndërlidhet edhe me punën e Prokurorit të Shtetit, sidomos në aspektin e caktimit të mbajtjes së seancave gjyqësore, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) do ta trajtojë dhe diskutojë këtë çështje me kohë dhe do t’ju informojë po ashtu me kohë për vendimin që mund të marrë”, thuhet në përgjigjen e Bedri Gashi, udhëheqës për komunikimin në KPK.
Kujtojmë, që seancat gjyqësore shpesh anulohen në mungesë të ndonjërës palë. Mungesa të tilla janë evidentuar edhe në raport të shumë organizatave vendore.