
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i zhvilluar në Tiranë.
Në fjalën e saj hyrëse, ajo theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik dhe progresin e dukshëm që vendi ka arritur në katër vitet e fundit.
Ministrja Gërvalla përmendi rritjen ekonomike të qëndrueshme, dyfishimin e eksportit, rritjen e investimeve të huaja dhe rritjen e të hyrave buxhetore si tregues kryesorë të reformave të thella demokratike dhe ekonomike.
Ajo gjithashtu theksoi dorëzimin e parë të Agjendës së Reformave 2024–2027 dhe angazhimin e Kosovës për të përfituar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në fjalimin e saj, ministrja ngriti shqetësimin për veprimet destabilizuese në rajon, duke dënuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë nga një grup paramilitar i lidhur me shtetin serb, si dhe sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc, infrastrukturë kyçe për Kosovën. Ajo paralajmëroi se mungesa e një reagimi të unifikuar ndërkombëtar mund të rrezikojë stabilitetin dhe themelet e politikës së zgjerimit të BE-së.
Gërvalla dënoi gjithashtu arrestimin e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, duke konfirmuar kështu përfshirjen e shtetit serb në veprimet agresive.
Në përfundim, ministrja rikujtoi hapat konstruktivë të Kosovës për bashkëpunim rajonal, përfshirë zhbllokimin e marrëveshjeve CEFTA, ratifikimin e Procesit të Berlinit dhe heqjen e vizave për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës.
Ajo theksoi se ndërtimi i një rajoni funksional dhe evropian kërkon përgjegjësi të barabartë, dënim të dhunës dhe respekt të ndërsjellë për fqinjësinë e mirë.
“Pa drejtësi, barazi dhe llogaridhënie të ndërsjellë, nuk mund të ketë përparim të qëndrueshëm,” përfundoi Gërvalla, duke falënderuar organizatorët për mikpritjen dhe angazhimin ndaj paqes dhe bashkëpunimit në rajon.