
Sot ka nisur në Gjykatën Themelore të Prishtinës seanca fillestare për aktakuzën e ngritur ndaj 53 personave të dyshuar për përfshirje në masakrën e Mejës – një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.
Procesi po zhvillohet në mungesë të të akuzuarve.
Lush Krasniqi, i mbijetuar i kësaj masakre, i cili përshëndeti nisjen e procesit gjyqësor, duke e quajtur një moment të rëndësishëm për familjarët e viktimave dhe gjithë shoqërinë.
“Masakra e Mejës është një ndër masakrat më të mëdha që kanë ndodhur në luftën e fundit. Dhe ne si familjarë e kemi mirëpritur këtë moment, edhe pse me vonesë. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu, qoftë si individë, qoftë si shoqatë,” u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se familjarët kanë bashkëpunuar ngushtë me institucionet e drejtësisë, përfshirë kryeprokurorin Hajdaraj dhe hetuesit në terren, me qëllim që të sigurohet dokumentimi i fakteve dhe identifikimi i përgjegjësve.
“Presim që të jetë një vendim i qëlluar, një shpresë për ne. Edhe pse gjykimi në mungesë është një gjë negative, për shkak të rrethanave dhe pamundësisë për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë, duhet të pajtohemi me këtë rezultat që është arritur,” theksoi ai në emisionin Five.
Masakra e Mejës ndodhi më 27 prill 1999, kur forcat serbe ekzekutuan mbi 370 civilë shqiptarë, shumica burra e djem të ndarë nga familjet e tyre, gjatë një operacioni të gjerë në komunën e Gjakovës.
Emrat e shumë të dyshuarve janë të njohur prej vitesh, por deri më tani, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi para drejtësisë