
Njëri pas tjetrit, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, erdhën në gjykatore.
Ish kryeshefi i stacionit policor në Istog, Pantiq, dhe ish polici Zariq, akuzohen se gjatë viteve 1998 – 1999, në bashkëkryerje udhëhoqën fushatë terrori ndaj shqiptarëve, me vrasje, rrahje e dëbime.
Si pasojë e këtyre veprimeve, Prokuroria Speciale e ngarkon këtë dyshe me përgjegjësi penale për vrasjen e mbi 250 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, djegien dhe shkatërrimin e rreth pesë mijë shtëpive të shqiptarëve të Kosovës, si dhe dëbimin me forcë të mijëra civilë nën kërcënimin e vdekjes.
Të mërkurën, ishte planifikuar të dëgjohej dëshmitari i parë për këto krime.
Mirëpo, për të dytën herë, dëshmia e tij dështoi të niste.
Kjo për shkak se mbrojtja e të akuzuarve ka pësuar ndryshime.
Këta, adresuan tek trupi gjykues mungesën e shkresave të lëndëve për të akuzuarit.
“Unë sot ia kam dorëzuar atij përkthimin e procesverbalit të seancës së kaluar. Po ashtu, kam vërejtur se ai për herë të parë e ka parë deklaratën e këtij dëshmitari që e ka dhënë në Polici. Dhe i njëjti, nuk ka fare shkresa të lëndës, përpos aktakuzës. Më vjen keq që ky dëshmitar, vjen dy herë këtu, por ne fatkeqësisht nuk jemi të përgatitur për mbrojtje kualitative dhe marrje në pyetje të këtij dëshmitari”, deklaroi avokati i Zharko Zariq, Millosh Delediq.
E gjitha kjo, sipas mbrojtjes, po bëhet pasi të akuzuarit do të marrin pjesë aktivisht në gjykim.
“Qëllimi ynë është që në mënyrë aktive të marrim pjesë në këtë çështje. Është në pyetje mbrojtja e të pandehurit dhe ju duhet të kujdeseni që të mbrojturit tanë t’i kenë shkresat e lëndës, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në procedurë në mënyrë të plotë”, tha avokati i Momir Pantiq, Dejan Vasiq.
Rrjedhimisht, trupi gjykues urdhëroi Prokurorinë që mbrojtjen dhe të akuzuarit t’i pajisë me shkresa të lëndës.
Seanca e së mërkurës u shtye për në muajin korrik.