
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, i cili lidhet me krizën institucionale dhe zvarritjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
Në një lidhje direkte në emisionin Debat Plus, Hasani tha se Gjykata Kushtetuese ka dhënë një mesazh të qartë.
“Pas 30 ditëve e ka thënë shprehimisht që nuk mund të shkohet në zgjedhje. Dhe e ka bërë të qartë. Sepse po të ndodhte një gjë e tillë, që të shkohet në zgjedhje pas 30 ditëve, atëherë mund të futemi në librin e Guinness-it. Pa pas Kuvend s’mund të shkohet në zgjedhje. Pa parlament të konstituuar.”
Ai theksoi se rendi kushtetues kërkon që Kuvendi të konstituohet përpara se të ndërmerren çfarëdo veprimi tjetër institucional, përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Gjykata, sipas tij, ka bërë thirrje për përfundimin e seancës konstituive brenda afatit kushtetues, por nuk ka lënë hapësirë për interpretim që moskonstituimi çon automatikisht në zgjedhje.
Sa i përket debatit mbi votimin e fshehtë në Kuvend, Hasani tha se vendimi i Gjykatës i jep fund paqartësive.
“Edhe këtë e ka bërë të qartë. Që procedurat e konstituimit të Kuvendit caktohen me Kushtetutë, me Rregullore dhe me praktikë parlamentare deri sot. Që i bie, deri sot nuk ka pasur votim të fshehtë, asnjëherë nuk ka pasur devijim nga agjenda. Këtë e ka thënë Gjykata, që procedurat janë të qarta dhe dihen,” tha ai.
Sipas Hasanit, tentativat për të imponuar votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit bien ndesh me frymën kushtetuese dhe me praktikat e ndjekura që nga themelimi i institucioneve të Kosovës.