
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar të enjten në lidhje me ngërçin në Kuvendin e Kosovës, po konsiderohet si interpretim i paguximshëm i Kushtetueses nga monitorues të sistemit të drejtësisë. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gjykata Kushtetuese ka dalë tërësisht jashtë objektit të kërkesës së parashtruar nga dhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë për ndryshimin e formës së votimit të kryeparlamentarit nga i hapur në të fshehtë.
Të njëjtit deklarojnë se gjykata do të duhej të thoshte në mënyrë tekstuale nëse është kushtetues apo jo votimi i fshehtë në zgjedhjen e kryekuvendarit. Megjithëse, deklarojnë se në mënyrë indirekte në aktgjykim, është thënë se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, me propozimin për formimin e komisionit verifikues për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, ka dalë jashtë skenarit të përgatitur për seancën konstituive.
Hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj, thotë për KosovaPress, se gjykata ka vlerësuar më shumë seancën dhe është përgjigjur në pyetje që s’janë parashtruar në kërkesë.
Megjithatë, ai thekson se në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses, është bërë e qartë nevoja për gjetjen e një kompromisi për votimin e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Përkitazi me këtë, sipas tij, në aktgjykim potencohet e drejta e partisë së parë në zgjedhje për të propozuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, mirëpo kjo e drejtë nuk duhet të rezultojë me bllokimin e Kuvendit.
Jakaj: Një aktgjykim i tillë vërehet se është interpretim i paguximshëm i Gjykatës Kushtetuese
“Një aktgjykim i tillë vërehet se është interpretim i paguximshëm i Gjykatës. Ka vlerësuar seancën dhe jo vendimin e pamiratuar, siç është kërkuar me kërkesë në Kushtetuese. Ka dalë tërësisht jashtë objektit të kërkesës. Gjykata duhet të thoshte në mënyrë tekstuale, edhe pse në mënyrë indirekte ka thënë, se kryesuesi nuk duhet të dalë jashtë skenarit që është përgatitur më datë 8 prill. Asnjë bazë s’ka pasur me vlerësu seancën gjykata. Thjesht është përgjigjur në pyetje që s’janë bërë dhe s’ka thënë për vendimin e pamiratuar. Ka në kërkesë diçka që është kërkuar, ndërkohë nuk i ka trajtuar kërkesat e AAK-së të mbështetura edhe nga disa deputetë të tjerë”, thotë ai.
Sa i përket afatit 30-ditor që Kushtetuesja e ka dhënë për konstituim të Kuvendit, Jakaj thotë se ky institucion do të duhej të jepte edhe pasojat nëse nuk bëhet një gjë e tillë.
Jakaj: S’ka pasoja juridike nëse nuk konstituohet Kuvendi në afatin prej 30 ditëve
“Aktgjykimi është interpretim në një format të paguximshëm, por nuk tregon për pasojat se cilat do të jenë pasi të kalojë afati 30-ditor nëse nuk konstituohet Kuvendi. Se çka do të ndodhë me datën 27 korrik? Ne kemi pasoja juridike nëse nuk zgjidhet kryeministri herën e dytë, kemi pasoja juridike nëse nuk zgjidhet presidenti herën e tretë. Ndërkaq, nuk kemi pasoja nëse nuk konstituohet Kuvendi. Një gjë të tillë duhet ta sqaronte Gjykata Kushtetuese”, tha ai.
Pas vendimit të djeshëm të Kushtetueses, kryetari i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurti ka ftuar të shtunën liderët e partive politike për konsulta dhe përpjekjen për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike.
Pas këtij zhvillimi, të premten është ndërpritur seanca konstituive e Kuvendit, duke i dhënë hapësirë këtij takimi, derisa është caktuar seanca e radhës të dielën e kësaj jave.
Megjithatë, në lidhje me takimin e liderëve të partive parlamentare, analistja politike, Magbule Shkodra është skeptike se do të arrihet një kompromis për zgjedhjen e trupave të legjislativit.
Sipas saj, në bazë të deklaratave të sotme të partive politike dhe interpretimeve të ndryshme të aktgjykimit të Kushtetueses, nuk pret zgjidhje të shpejtë të ngërçit politik.
Shkodra: Jam skeptike se liderët politikë në takimin e nesërm do të gjejnë zgjidhje
“Vonesa në thirrjen e këtij takimi më duket jo serioze nga Albin Kurti. Kam pritur që takimi të thirrej menjëherë sot, para caktimit të seancës konstituive. Kjo thirrje për të nesërmen më bën të mos jem optimiste se do të ketë diçka. Mirëpo që e bëri hapin e parë, pasi e kemi thënë që sa kohë… Jam skeptike, do të befasohem për të mirë nëse diçka do të ndodhë, por jam skeptike”, shton ajo.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, u ka thwnw mediave se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.
Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.
“Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, theksoi ai.
Pas vendimit të Kushtetueses, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk i merr 61 votat e nevojshme për kryekuvendare me votim të fshehtë, ajo do të tërhiqet nga kandidatura për të parën e legjislativit.
Ajo ka nënvizuar se nuk do të heqin dorë nga aktgjykimi në formë të fshehtë, pasi i njëjti nuk është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, në partitë që deri tani ishin në opozitë, kanë thënë se aktgjykimi i Kushtetueses ishte i qartë dhe se ndalon votimin e fshehtë.