Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Serbët sërish përdorin Vidovdanin për të provokuar Kosovën

 
   

Serbët janë mbledhur sot në Gazimestan për të kremtuar Ditën e Vidovdanit dhe sikurse edhe viteve të kaluara ata e kanë shfrytëzuar për të provokuar me thirrje nacionaliste.

Grumbullimi i serbëve është përcjell nga policia e Kosovës e cila ka shoqëruar disa prej tyre për shkak të posedimit të simboleve nacionaliste.

Ata kanë ndaluar një serb i cili në qartën e tij mbante një armë të plastikës dhe pasi u verifikua se nuk është armë e vërtetë, i njëjti u lëshua të kalojë në pjesën ku mbahej manifestimi. Ndërkohë, një serbit tjetër iu është gjet flamuri i Serbisë gjatë kontrollit të Policisë së Kosovës. I njëjti nuk u lejua të kalojë.

Aty është parë edhe deputeti Slavko Simiq, i cili u bashkua me qindra qytetarë për të marrë pjesë në festimin e Vidovdanit në Gazimestan.

Njëri nga pjesëmarrësit që kishte ardhur nga Episkopia e Jasenovcit në fjalimin e tij bëri thirrje që serbët të qëndrojnë të bashkuar. AI përmendi edhe luftën në Ukrainë.

Pjesëmarrësi serb: Po shohim çfarë ndodh me ata që po i shmangen këtij tempulli

“Ashtu si Abrahami e ka parë Zotin, sikur Jakovi që ka parë engjëjt ashtu edhe në ditën e sotme Car Lazari ka parë profetin e shenjtë Ilia sikurse se thotë populli në këngë fluturoi fajkoi nga shenjtorja në Jerusalem dhe ky nuk ishte fajkua, por ky ishte profeti Ilia dhe i solli librin Car Lazarit ku shkruan për tokën qiellore… Dhe po shohim se çfarë po ndodh me ata që po i shmangen këtij tempulli – ata po zhduken sikurse edhe shumë popuj u zhdukën përgjatë historisë kur jemi ndarë… Dhe kur të ndahemi atëherë zhdukemi… Shikoni ndarjen e Ukrainës. Ukraina nuk është ndarë se pse i beson ndonjë kishe, por Ukrainën e kanë ndarë komunistët që nuk kanë besuar në askënd.. Prej tyre ka ardhur kjo”, ka thënë ai.

Përndryshe, më 10 qershor të vitit të kaluar, Komuna e Graçanicës kishte marrë vendim që kjo festë të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb.

Këtë vendim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 qershor, e ka rrëzuar përfundimisht duke vendosur që në Ditën e Vidovdanit, të mos ketë simbole dhe flamuj serb.

Në arsyetim, gjykata tha se vendimi në fjalë mund të provokojë tensione ndëretnike, veçanërisht nëse perceptohet se autoritetet komunale favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin ligjor.