
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike si deputet për ta parandaluar kryesuesin e seancës, Avni Deharin që abuzon me ritmin e njëjtë duke shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Tahiri theksoi se LVV-ja, ka vendosur të imponojë një rend të ri, ani pse është në shpërputhje me rendin kushtetues.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mendoj që ka qartësuar gjithçka tashmë. Seancat e mbajtura deri në daljen e këtij vendimi kanë qenë seanca të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Ne si deputet të kuvendit, nuk mund të rrimë indiferent kur e shohim kryesuesin e kësaj seancë që vjen nga LVV-ja dhe vazhdon të abuzojë me ritmin e njëjtë dhe vazhdon ta shkel kushtetutën. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet tona demokratike që i kemi në dorën tonë si deputet që ta parandalojmë një gjë të tillë.. Këta kanë vendosur me u mundu me imponua një rend të ri, ani pse është në shpërputhje me rendin tonë kushtetues”, tha Tahiri.
Tahiri pret që të involvohet edhe presidentja e vendit pas 30 ditësh.