Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjatë arrestimi sulmoi fizikisht zyrtarët policorë në Kaçanik, i dyshuari dërgohet në mbajtje

 
   

Një person me inicialet B.M i moshës 21 vjeç dyshohet se gjatë arrestimit ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 23:00 në rrugën “Vëllezërit Çaka”, në Kaçanik.

“Me datë 30.06.2025 rreth orës 23:00, në rrugën ‘Vëllezërit Çaka’ në Kaçanik, ka ndodhur një rast i sulmit ndaj personave zyrtarë. Menjëherë, policët e rendit dhe hetuesit rajonalë kanë reaguar ndaj thirrjes dhe pas intervistimit të viktimave dhe dëshmitarëve, është kuptuar se derisa policët në detyrë, gjatë tentativës për arrestimin e një personi të dyshuar, janë sulmuar nga ky i fundit. I dyshuari, gjatë rezistencës, ka goditur zyrtarët policorë me shqelma në pjesën e këmbëve”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet.

Siç thuhet në njoftim i dyshuari ka pranuar se posedonte dy thika që janë gjetur në veturën e tij.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore dhe ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit B.M, 21 vjeç, për 48 orë”.