Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Shteti i lë pa shtesa fëmijët pa përkujdesje prindërore

 
   

Në Kosovë, shteti ndan shtesa për fëmijët, por jo për të gjithë. Disa prej më të pambrojturve – fëmijët pa përkujdesje prindërore – janë lënë jashtë kësaj skeme.

Megjithatë, gjatë mbledhjes së informacioneve për këtë temë, është vënë re se disa institucione tashmë kanë ndërmarrë nisma për ta ndryshuar këtë situate, shkruan REL.

Që nga viti 2021, Qeveria e Kosovës ka nisur ndarjen e shtesave mujore për fëmijë dhe, aktualisht, përfitues të tyre janë mbi 400 mijë.

Prej korrikut të vitit të kaluar, vlera e kësaj shtese është 20 euro për fëmijët në familjet me dy fëmijë dhe 30 euro për ata në familjet me tre ose më shumë.

Të përjashtuar nga kjo skemë janë së paku 28 fëmijë pa përkujdesje prindërore, të moshës 0 deri në 16 vjeç, që jetojnë në SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Në këtë organizatë të përkujdesjes sociale thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet, në përpjekje për të gjetur zgjidhje.

“Ekziston gatishmëri dhe mirëkuptim nga ana e Qeverisë që edhe këta fëmijë të përfshihen në skemat mbështetëse”, thotë Berat Kryeziu, nga Zyra për Informim e SOS Fshatrave të Fëmijëve, për Radion Evropa e Lirë.

Përveç tyre, shtesa nuk marrin as fëmijët e strehuar në familje jashtë farefisit, thonë në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.

Drejtoresha Donjeta Kelmendi thotë se ka kërkuar disa herë nga Qeveria e Kosovës krijimin e mundësive që edhe kjo kategori e pambrojtur të përfitojë nga mbështetja financiare.

“Kanë thënë disa herë se do ta rregullojnë, por nuk e kanë rregulluar”, thotë ajo.

REL pyeti Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë përgjegjëse – atë të Drejtësisë dhe të Financave – për numrin e fëmijëve pa kujdes prindëror në Kosovë, arsyet e mospërfshirjes së tyre në skemën e shtesave dhe mundësinë e përfshirjes së tyre në të ardhmen, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje qysh nga java e kaluar.

Më 2 korrik, Ministria e Financave doli me një njoftim publik, ku tha se ka miratuar udhëzuesin për zbatimin e shtesave për fëmijë dhe lehona.

Në udhëzuesin e përditësuar thuhet se, në rastet kur fëmija është në strehim rezidencial, atëherë aplikimi për shtesa bëhet nga punonjësi i autorizuar nga entiteti, i cili hap një llogari bankare për fëmijën, ku depozitohen mjetet e shtesave.

Të kontaktuar nga REL-i pas këtij njoftimi, zyrtarët e SOS Fshatrave thonë se nuk kanë asnjë shkresë zyrtare.