
Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për tre zyrtarë policorë (një rreshter dhe dy zyrtarë policorë), të gjithë punonjës në Stacionin Policor në Suharekë, Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kjo kërkesë për suspendim të përkohshëm dhe në interes të hetimit, mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike e një të ndaluari si i dyshuar për një rast të dhunës në familje e i cili sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetë-ngulfatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor.
“Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre nga zyrtarët policorë mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se suspendimi i përkohshëm paraqet masë të përkohshme mbrojtëse, në funksion të dhe interes të garantimit të integritetit të hetimit që po zhvillohet lidhur me këtë rast, si dhe të shmangies së çdo ndikimi të mundshëm në procesin hetimor.
“IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast që po trajtohet në këtë fazë si hetim i vdekjes”.