
Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, temperaturat brenda zyrave po arrijnë deri në 34 gradë celsius. Mungesa e klimatizimit dhe ventilimit po vështirëson punën e gjyqtarëve, stafit dhe palëve në procedura gjyqësore. Inspektorati i Punës tashmë ka konstatuar shkelje të standardeve ligjore dhe ka kërkuar masa urgjente. Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila menaxhon objektin, ende nuk ka një përgjigje se kur do të ndërhyhet.
Me shumicën e dritareve të mbyllura dhe pa sistem klimatizimi funksional, në këto ditë me temperatura të larta, puna po zhvillohet në kushte të vështira brenda Pallatit të Drejtësisë. Temperatura brenda zyrave të stafit dhe gjyqtarëve arrijnë deri në 34°C. As në sallat e gjykimeve situata nuk është më e mirë.
Ky problem, tash e disavjeçar në Pallatin e Drejtësisë, po shkakton telashe shëndetësore për stafin, përveçse po ndikon negativisht edhe në mbarëvajtjen e punës.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se “Aktualisht në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, klimatizimi nuk është duke funksionuar dhe si pasojë, temperaturat kanë arritur deri në 34°C, duke e vështirësuar punën e gjykatës, mbajtjen e seancave dhe duke ndikuar edhe në shëndetin e stafit”.
Inspektorati i Punës e ka inspektuar këtë objekt dhe ka konstatuar se kushtet e punës nuk janë në përputhje me ligjin, dhe si rrjedhojë, ka dhënë afat për eliminimin e këtij problemi. Edhe Inspektorati i Punës ka konstatuar se në objektin e Pallatit të Drejtësisë janë tejkaluar standardet maksimale të lejuara, sipas legjislacionit në fuqi.
Edhe për palët e tjera, kushtet në Pallatin e Drejtësisë janë të papërballueshme për shkak të temperaturave të larta.
Avokati Arbër Istrefi thekson se kjo çështje është bërë pothuajse e papërballueshme.
“Kam pasur rast edhe personalisht të marr pjesë në një seancë që ka zgjatur një orë e gjysmë. Vetëm ne që kemi qenë brenda e dimë se çfarë kemi përjetuar. Kam ndjerë shumë keqardhje për gjyqtaren e rastit, e cila disa herë ka kërkuar leje për të dalë jashtë zyrës, sepse në korridore temperatura ishte disi më e ulët se në zyrat e gjyqtarëve. Në këtë aspekt e shoh si një dështim kolektiv të Ministrisë apo institucioneve përkatëse që nuk kanë ndërmarrë masa adekuate me kohë”, tha ai.
Për mbajtjen apo jo të seancave do të vendosin gjyqtarët, në varësi të kushteve brenda objektit. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për menaxhimin e objekteve të Pallatit të Drejtësisë, ende nuk ka dhënë përgjigje se si do të veprojë për të zgjidhur këtë problem.