
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas deklaratës së kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, i cili të dielën në Facebook ka ritheksuar qëndrimin për votimin e fshehtë si rrugëdalje nga bllokada institucionale.
Cakolli, në një postim të tij po ashtu në Facebook, ka vënë në pikëpyetje këtë qasje, duke e cilësuar votimin e fshehtë si një procedurë që ka dështuar plot 34 herë deri tani, gjashtë herë më shumë sesa votimi i hapur.
“Si mund të quhet ‘zgjidhje’ një procedurë që ka dështuar 34 herë radhazi, gjashtëfish më shumë sesa ajo e hapur?”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka theksuar se insistimi i vazhdueshëm për votim të fshehtë, tashmë edhe nga vetë Kryesuesi i seancës, është bërë absurd dhe nuk ka as legjitimitet, e as përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar mënyrën e votimit gjatë seancës janë të paligjshme, përderisa kjo mund të bëhet vetëm në takimin përgatitor mes grupeve parlamentare dhe ish-Kryetarit të Kuvendit – takim që këtë herë u mbajt më 8 prill.
“Kryesuesi nuk ka kurrfarë diskrecioni e autoriteti për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë seancës,” shkroi Cakolli, duke shtuar se çdo veprim i tillë është “vendim i njëanshëm e arbitrar”.
Cakolli i ka bërë thirrje Kryesuesit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalin “manipulimin procedural” dhe të kthehen te konsensusi dhe kompromisi politik, siç kërkohet edhe nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij po injorohet me vetëdije.