Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

IKShPK paralajmëron: Rritja e temperaturave rrezikon helmime ushqimore

Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka alarmuar qytetarët për rrezikun e helmimeve ushqimore si pasojë e temperaturave të larta gjatë ditëve të fundit në Kosovë.

Në një njoftim të IKSHPK-së në Facebook, thuhet se në kushte të tilla mikroorganizmat shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë.

Në njoftim thuhet se kujdesi gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet.

Postimi i plotë i IKShPK-së:

Siguria ushqimore u referohet të gjitha rreziqeve të cilat mund t’i shkaktojnë dëme ushqimit dhe përmes tij, shëndetit të popullatës.

Në verë, për shkak të temperaturave të larta, rritet rreziku i helmimeve ushqimore. Mikroorganizmat shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë. Prandaj, kujdesi gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet.

Kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga: duart e papastërta, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.

Si ndodhin helmimet nga ushqimi?

Helmimet shkaktohen nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me:

  • Bakterie, viruse apo parazitë
  • Kimikate të dëmshme
  • Prania në ushqim e mbetjeve si kocka, metale apo fije floku
  • Mungesë higjiene gjatë përgatitjes apo ruajtjes së ushqimit

Për të gjitha helmimet ushqimore karakteristikë është paraqitja e shpejtë e simptomave: temperatura, dhimbje barku, të vjella dhe barkqitje.

Si të mbroheni?

  • Gatuani mirë ushqimin: Posaçërisht mishin, vezët dhe qumështin – të gjitha pjesët duhet të arrijnë temperaturën 70°C.
  • Konsumoni ushqimin menjëherë pas përgatitjes: Sa më gjatë të qëndrojë, aq më i madh është rreziku i kontaminimit. Ushqimet për fëmijët nuk duhet të ruhen në përgjithësi, duhet të konsumohen sa më parë pas përgatitjes.
  • Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt: Në të nxehtë mbi 60°C, në frigorifer nën 5°C. Mishi i ngrirë dhe mishi i shpendëve duhet të shkrihen tërësisht përpara gatimit.
  • Ringroheni mirë ushqimin e ruajtur: Para konsumit, sigurohuni që ushqimi të arrijë përsëri 70°C.
  • Shmangni kontaktin mes ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar: Përdorni thika dhe dërrasa të ndara për secilin.
  • Lani duart shpesh dhe si duhet: Para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas tualetit, pas ndërrimit/pastrimit të foshnjave apo pas kontaktit me kafshë.
  • Mbani pastër kuzhinën dhe enët: Pecetat dhe leckat ndërroni rregullisht dhe ziejini nëse kontaminohen.
  • Mbroni ushqimin nga insektet dhe brejtësit: Mbajeni ushqimin në enë të mbyllura me kapak.
  • Përdorni ujë të pastër dhe të sigurt: Nëse dyshoni në cilësinë e ujit, vlojeni para përdorimit.
  • Kontrolloni datat e skadimit dhe freskinë: Shmangni produktet me erë apo pamje të pazakontë.
  • Kujdes me ushqimin jashtë shtëpisë: Përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese në piknik apo udhëtime.

Vera e sigurt fillon nga kuzhina!

Respektoni rregullat e higjienës dhe sigurisë ushqimore për të kaluar një verë të shëndetshme e pa probleme.

Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë!

 

Tags: