1
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se populli i Kosovës nuk ka qenë i përfshirë në kryerjen e krimeve gjatë luftës, duke e krahasuar situatën me atë të Serbisë dhe duke kujtuar rolin e Aleksandër Vuçiqit si ministër i propagandës së Sllobodan Millosheviçit.
Gjatë një paneli të organizuar nga Instituti Hudson, Osmani tha: “Dua të them, të gjithë kemi kaluar nëpër luftë, ishim fëmijë të luftës, kemi përjetuar një luftë të tmerrshme, por nuk kemi marrë pjesë, populli i Kosovës nuk ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve. Ndërsa kur e sheh Vuçiqin, ai ishte ministër i propagandës së Millosheviçit. Dua të them, kjo është e vërteta, është e vërteta.”
Ajo shtoi se Vuçiç vazhdon të mbajë një mentalitet të ngjashëm, duke shprehur keqardhje për popullin e Serbisë dhe rajonin.
“Është për të ardhur keq. Është për të ardhur keq për popullin e Serbisë dhe për vendin që ai drejton, për të gjithë rajonin, dhe gjithashtu për të gjithë aleatët tanë që duhet të merren me taktikat e tij të vazhdueshme të destabilizimit. Ai flet për ‘Serbinë e madhe’ ose ‘botën serbe’. Është një kopje e librit të Putinit.”
Reagimi nuk vonoi nga ana e Petar Petkoviç, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, i cili akuzoi Osmanin për fiksim ndaj Vuçiçit.
“Vjosa nuk e fsheh më sa e fiksuar është me Vuçiçin, kudo që shkon, goja e saj përmend vetëm Vuçiçin. Tani ka shkuar edhe një hap më tej dhe sheh madje edhe një rosë.”
Presidentja Osmani ka nisur të enjten vizitën e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.