
Vizita e sotme e ndihmëssekretarit të Shtetit në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brendan Hanrahan në Kosovë, po shihet si një rikthim i vëmendjes amerikane për vendin dhe Ballkanin Perëndimor, raporton KosovaPress.
Një nga mesazhet kryesore të tij pritet të jetë nevoja për formimin e institucioneve të reja dhe dalja nga kriza politike, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Diplomati amerikan do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thanë në ekzekutiv për KosovaPress, mirëpo nuk treguan agjendën e diskutimit.
Krahas Kurtit, zyrtari i DASh-it do të takohet edhe përfaqësues të partive parlamentare në vend.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë për KosovaPress, se është në interes të vendit thellimi i partneritetit me SHBA-në.
Sipas tij, bllokada politike në Kosovë ka tërhequr vëmendjen edhe të SHBA-së, e cila mund të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit politik përmes konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Megjithatë, ai vë në pah edhe vonesat në emërimin e një ambasadori të ri amerikan në Kosovë, gjë që, sipas tij, është shqetësuese.
Zemaj: Mungesa e institucioneve në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e SHBA-së
“Është një lajm i mirë dhe një tregues që, përkundër agjendës së stërngarkuar dhe ngjarjeve globale ku SHBA-ja është e përfshirë, interesi për Kosovën mbetet i gjallë. Kjo vizitë duhet të shërbejë si një tërheqje e vëmendjes për faktin që Kosova ende nuk ka formuar institucionet e dala nga zgjedhjet. Ka kohë që nuk kemi as ambasador të SHBA-së në vend, gjë që për mua dhe për LDK-në, është shqetësuese, sepse mungesa e përfaqësimit në atë nivel mund të interpretohet si mesazh për qeverinë dhe klasën politike që interesi për partneritet duhet të jetë i yni dhe jo i njëanshëm”, deklaron ai.
Në anën tjetër, analisti politik Dorajet Imeri, deklaron për KosovaPress se vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë, dëshmon vazhdimin e përfshirjes strategjike të SHBA-së në rajon, me synimin për të ruajtur qëllimet e saj afatgjata në Ballkanin Perëndimor.
Imeri: Mesazhi kyç pritet të jetë nevoja për formimin e institucioneve të reja
“Pavarësisht vështirësive që ka Kosova në procesin e konstituimit të institucioneve, SHBA-ja nuk ndalet së vepruari në kuadër të strategjisë së saj në rajon. Ajo vazhdimisht dërgon diplomatë për të shtyrë përpara agjendat e veta. Është e qartë se SHBA-ja ka nevojë për një partner në Kosovë, dhe për këtë arsye kërkohet që qeveria e re të burojnë nga një shumicë funksionale në Kuvend. Një Kuvend i pakonstituuar dhe një qeveri në detyrë nuk mund të funksionojnë me kapacitete të plota”, shton ai.
Megjithatë, Imeri thekson se mungesa e emërimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, si dhe në disa vende të tjera të rajonit, është një sinjal i mundshëm i mungesës së interesit aktiv të SHBA-së për rajonin në rrethanat aktuale.
Imeri: Mungesa e ambasadorëve të SHBA-së tregon rënie të interesit për rajonin
“SHBA-ja ka kohë që nuk ka dërguar ambasadorë në shumë prej vendeve të rajonit. Kjo është një pasqyrë e politikës së administratës aktuale, e cila mund të interpretohet si një qasje më e tërhequr ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo vonesë në emërime është sinjal pesimizmi që SHBA-ja nuk e sheh më me prioritet rajonin tonë”, deklaron ai.
Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, gjatë kësaj jave është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.
Diplomati amerikan ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku përveç Kosovës, ai kishte paralajmëruar vizitë në Bosnjë Herecgovinë dhe Serbi.
“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon”, ka shkruar ai në platformën X më 9 korrik.