Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​“S’po muj mo” nëpërmjet protestës kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun

 
   

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot para stacionit të policisë në Lipjan, në një protestë paqësore për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën gjatë arrestimit nga zyrtarët policorë.

“Drejtësi për Agonin”, “Poshtë brutaliteti policor”, “Kush na mbron prej policisë” janë brohoritjet e protestuesve të cilët filluan protestën nga objekti i komunës deri para stacionit të policisë.

Të pranishëm në protestë ishin edhe familjarët e të ndjerit, të cilët përmes pankartave dhe thirrjeve, kërkuan hetim të plotë dhe transparencë lidhur me rastin. Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan përgjegjësi institucionale për ngjarjen.

Alban Zejnullahu, vëllau i Agon Zejnullahut tha se nuk janë mbledhur për urrejtje por për të kërkuar drejtësi.

Ai kërkoi nga institucionet hetim të plotë, transparent dhe kërkoi përgjegjësi.

“Zëri ynë është arma jonë…Të dëgjohet thirrja jonë nga çdo institucion”, tha ai.

“S’po muj ma”, “Mundesh me paragjyku, ama frymën nuk bën me ia ndal askujt”, “Unë s’kërkoj më jetë, kërkoj vetëm të mos më harrojë drejtësia”, “Mos harroni drejtësia është themeli i lirisë”, “Nuk kërkoj hakmarrje kërkoj drejtësi”, janë disa nga mbishkrimet e pankartave që mbanin protestuesit në duar.

Agon Zejnullahu ndërroi jetë më 7 korrik 2025, në Lipjan, gjatë arrestimit nga policia.

Ndërkaq, më 9 korrik, pesë zyrtarëve policor të përfshirë në këtë rast u është caktuar nga Gjykata Themelore masa e paraburgimit prej një muaji.

Një ditë pas rastit, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk do të ketë strehë në institucione për këdo që ka tejkaluar kompetencat apo ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të pozitës zyrtare.

Për vdekjen e 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu ka folur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, për çka tha se nuk do të tolerojnë që në çfarëdo forme eventuale të ketë tejkalime të autorizimeve policore. Ai kërkoi nga Inspektorati policor i Kosovës dhe institucionet e tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.