Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi reagon pas vendimit të Speciales: Rast i humbur për drejtësinë

 
   

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Krasniqi e ka quajtur këtë vendim një “mundësi të humbur”, sic ka shkruar ai, për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet thelbësore të saj: objektivitetin, paanshmërinë dhe respektin për të vërtetën.

“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetari i PDK-së tha se “historia e Kosovës nuk mund të shkruhet në sallat e gjykatave, sepse ajo është shkruar me gjakun dhe sakrificën e atyre që luftuan për liri”.

“Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht”, shkroi ai.

Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim që të rrëzojë në tërësi mocionin e mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së përmes së cilit kërkohej largimi i disa akuzave nga aktakuza. Mocioni përfshinte periudhën për incidentet para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dorëzuan parashtrim të përbashkët duke kërkuar që akuzat për incidentet para kësaj periudhe kohore të largohen nga aktakuza pasi që të njëjtat bien jashtë periudhës së luftës në Kosovë.

“Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë por është pjesë e një akuzë në formën e fakteve materiale të caktuara që përbëjnë pikat në aktakuzë”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në seancën e mbajtur në Hagë më 16 korrik derisa njoftoi për rrëzimin e mocionit.