Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Elezi “zbulon” përmbajtjen e marrëveshjes paraprake Kurti-Limaj – A do ta miratojë VV marrëveshjen me Nisman?

 
   

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi ka paralajmëruar për rëndim të sigurisë politike në Kosovë, nëse dështon marrëveshja e paralajmëruar mes Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe NISMA-s Socialdemokrate për formimin e institucioneve të reja.

Sipas burimeve politike, marrëveshja paraprake përfshin ndarjen e posteve kyçe për NISMA-n – përfshirë Kryetarin e Kuvendit dhe tri ministri – me qëllim sigurimin e një shumice parlamentare deri në prill 2026.

Megjithatë, vendimi final mbetet në duart e Albin Kurtit, i cili po heziton për shkak të implikimeve afatgjata, përfshirë ndikimin në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe tensionet e brendshme në partinë e tij.

Nëse marrëveshja dështon, vendi përballet me rrezikun e shpërndarjes së Kuvendit, vakum institucional dhe protesta të mundshme, duke e ekspozuar Kosovën ndaj krizave të reja politike e kushtetuese – paralajmëron Elezi.

Postimi i plotë i Elezit:

Rëndimi i Sigurisë Politike në Kosovë në Prizmin e Marrëveshjes Paraprake mes VV dhe NISMA-s

Në një periudhë vendimtare për të ardhmen institucionale dhe politike të vendit, zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah përpjekjet për formimin e institucioneve shtetërore përmes një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe NISMA-s Socialdemokrate. Sipas burimeve të besueshme, dy subjektet janë pajtuar për një strukturë të përbashkët qeverisëse, por vendimi final mbetet në duart e liderit të VV-së, Albin Kurti.

Në rast se marrëveshja dështon, vendi përballet me rrezikun e thellimit të krizës kushtetuese dhe politike, përfshirë edhe implikime serioze për sigurinë politike në Kosovë.

2. Përmbajtja e Marrëveshjes së Paraprake

Sipas burimeve politike brenda grupeve negociuese, marrëveshja paraprake ndërmjet VV dhe NISMA-s përfshin ndarjen e funksioneve kyçe në kuvend dhe qeveri për NISMA-së si:

Kryetari i Kuvendit të Kosovës

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Arsimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

40 pozita të tjera të larta shtetërore, përfshirë borde, agjenci dhe pozita udhëheqëse në administratë.

Kjo marrëveshje ka për qëllim të konsolidojë një shumicë parlamentare që do të garantojë funksionimin e institucioneve deri në prill 2026, kur pritet edhe zgjedhja e Presidentit të ri të vendit.

3. Pikat e Tensionit dhe Qëndrimi i Albin Kurtit

Megjithëse marrëveshja është dakorduar në nivel teknik, për zbatimin e saj kërkohet miratimi politik nga Albin Kurti. Sipas të njëjtave burime, Kurti është duke analizuar me kujdes pasojat afatgjata, përfshirë:

Rolin e Kryetarit të Kuvendit: Me automatizëm, ai merr pozitën e Presidentit në rast se posti mbetet vakant pas prillit 2026. Kjo ka rëndësi strategjike dhe nxit tension mes partnerëve.

Konflikti Haxhiu–Limaj: Emërimi i një ministri të NISMA-s në Ministrinë e Drejtësisë konsiderohet si përjashtim i Albulena Haxhiut, figurë qendrore në politikën e VV-së, dhe shihet si komprometim i fuqisë së partisë në drejtësi.

Ky hezitim i liderit të VV-së ka ngritur shqetësime për mungesë të vullnetit politik për të ndarë pushtetin, duke e rrezikuar kohezionin ndërpartiak dhe stabilitetin institucional.

4. Impaktet e Mundshme në Sigurinë Politike

Nëse marrëveshja dështon, pritet një përkeqësim i menjëhershëm i sigurisë politike, për arsye të mëposhtme:

a. Afati 30-ditor Kushtetues

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të formojë qeverinë brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultatit. Në të kundërt, shpërndahet automatikisht dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

b. Rreziku i Vakumit Presidencial

Në prill 2026, përfundon mandati i Presidentes aktuale. Në mungesë të shumicës për zgjedhjen e një presidenti të ri, vendi mund të përfshihet në krizë kushtetuese dhe institucionale.

c. Radikalizimi Politik dhe Protestat

Dështimi për të ndërtuar institucione funksionale mund të çojë në protesta, polarizim ekstrem politik dhe në ndërhyrje më të thella të faktorëve të jashtëm, veçanërisht në zonat e brishta të sigurisë në veri të vendit.

5. Konkluzione

Situata aktuale politike në Kosovë ndodhet në një pikë kritike, ku një marrëveshje mes dy subjekteve (VV dhe NISMA) do të mund të garantonte stabilitet të përkohshëm, por me kosto të larta për balancën e pushtetit dhe ndikimin në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Dështimi për të arritur këtë marrëveshje brenda afatit kushtetues jo vetëm që do të nxiste zgjedhje të parakohshme, por gjithashtu do të ekspozonte vendin ndaj një krize të thellë institucionale dhe politike, me pasoja për funksionimin demokratik dhe sigurinë e përgjithshme.

6. Rekomandime për Faktorët Politikë

Të intensifikojnë dialogun politik transparent dhe të sinqertë, me ndërmjetësim të mundshëm institucional.

Të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese me përgjegjësi shtetërore, duke shmangur kalkulimet personale apo partiake.

Të krijojnë kushte për një tranzicion të qetë politik, që respekton rendin kushtetues dhe stabilitetin afatgjatë të shtetit.