Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga e mërkura, nis regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të mërkurën, më 23 korrik, do të hapet afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Afati për regjistrim do të zgjasë 38 ditë, deri më 29 gusht 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje rreth mënyrës së regjistrimit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Gjatë periudhës 38-ditore të paraparë për regjistrim, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet në njërën nga dy mënyrat: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së ose (2) përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Duke filluar nga data 23 korrik, në përmbushje të detyrimit ligjor, KQZ do të aktivizojë platformën elektronike, përmes së cilës votuesit jashtë Kosovës mund të regjistrohen për votim”, deklaroi Elezi.

Ai theksoi se ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, këtë herë nuk do të ketë mundësi për të votuar në përfaqësitë diplomatike.

“Në zgjedhje lokale, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë vetëm përmes postës. Ky ligj specifikon qartë se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh. Pra, do të ketë vetëm votim me postë dhe për këtë KQZ-ja do të hap kuti postare në shtete të ndryshme, ku do të mund të dërgohet pako me fletëvotime”, tha ai.

Votimi për diasporën do të zhvillohet nga data 17 shtator deri më 11 tetor 2025, vetëm për ata që janë regjistruar brenda afatit zyrtar.