Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vëllai i Agon Zejnullahut: Nëse hiqet paraburgimi ndaj policëve, mendojmë të tjera opsione

 
   

Alban Zejnullahu, vëllai i Agon Zejnullahut, tha se familja do të shqyrtojë “opsione të tjera” në rast se Gjykata Themelore në Prishtinë vendos për masë tjetër përpos asaj të paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar për vrasjen e vëllait të tij.

Vëllai i 27-vjeçarit që dyshohet se u vra mesnatën e 6 korrikut në Lipjan, e bëri këtë deklaratë në televizionin T7 derisa komentoi aktvendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin në rivendosje të çështjes ndaj pesë policëve.

“Shpresojmë që Gjykata Themelore në Lipjan do të vendosë njëjtë masën siç ka qenë dhe prapë do ta caktojë masën e paraburgimit ndaj atyre që e vranë vëllanë tonë”, tha ai.

Ai paralajmëroi se ndonjë vendim tjetër do t’i shtynte ata si familjarë që të mendojnë “për opsionet tjera”.

“Përndryshe, çfarëdo vendimi tjetër, përveç neve si familje që na i rihapë plagët e vuajtjes, na shtyn me mendu edhe për opsionet tjera. Andaj u lutemi të gjithëve, sidomos këtyre institucioneve, i lusim, me gjithë qenien po e them, që drejtësia të vijë në vend”, tha ai.

I pyetur se a po aludon për hakmarrje, Alban Zejnullahu tha: “Nuk thashë diçka konkrete, por drejtësia do të vijë në vend”.