Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Publikohen shkeljet që gjeti Apeli në vendimin e Themelores për masën e paraburgimit në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan

 
   

Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan e cila më 9 korrik 2025 ua ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të dyshuarve, Apeli e ktheu çështjen në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores, e cila kishte caktuar paraburgimin kanë parashtruar mbrojtja e pesë policëve të dyshuar.

Apeli vlerëson se seanca dëgjimore është mbajtur në shkelje të dispozitave ligjore.

Sipas Apelit, prokurori i shtetit nuk e ka elaboruar kërkesën për caktim të paraburgimit dhe se nuk ekziston konstatimi se palët kanë hequr dorë për elaborim të kërkesës për paraburgim.

Shkalla e dytë thekson se vendimi i Themelores nuk përmban analizë dhe vlerësim të provave relevante për të konstatuar dyshimin e bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale për çka dyshohen.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë vetë ka listuar prova dhe se të njëjtat nuk janë vlerësuar apo analizuar për të kuptuar se a ekziston dyshimi i bazuar që të caktohet pastaj masa e paraburgimit, pasi që ekzistimi i dyshimit të bazuar llogaritet sipas vendimit, kusht për caktim të paraburgimit.