Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nesër shpallet aktgjykimi për krime lufte ndaj ushtarit të grupit të Arkanit Milosh Pleskoviq

 
   

Në Gjykatën Themelore në Prishtine nesër (31 korrik) në orën 10:00 do të shpallet aktgjykimi ndaj Milosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime të luftës në Prizren.

Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99  në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.