Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avokati i familjes së Agon Zejnullahut reagon pas vendimit të Apelit: Mund të jetë çka do, veç drejtësi nuk është

 
   

Avokati i familjes së Agon Zejnullahut, Azdren Hoxha, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë që po hetohen në lidhje me vdekjen e Zejnullahut.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxha ka shprehur shqetësimin e thellë të familjes Zejnullahu dhe e ka cilësuar këtë vendim si një goditje për drejtësinë.

“Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, për ndërprerjen e paraburgimit në çështjen e pesë zyrtarëve policorë që hetohen për veprën penale ‘vrasje nga pakujdesia’ ndaj qytetarit Agon Zejnullahu, mund të interpretohet në forma të ndryshme, veç drejtësisë nuk i kontribuon,” shkroi Hoxha.

Sipas tij, vendimi për lirimin e të dyshuarve është brengosës dhe i papranueshëm për familjen dhe për qytetarët me ndjenja njerëzore.

“Mund të jetë çka do, veç drejtësi nuk është. Me u dyshu për këtë vepër penale kaq të rëndë, me veprime aq të vrazhda e gjakftohtësi… me u shqetësu i madh e i vogël në vendin tonë, edhe me i lënë të lirë, është brengosëse. Jeta e njeriut po vlejka pak, andaj kjo duhet me na prekë krejt neve që kemi ndjenja normale,” përfundoi Hoxha.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 07.07.2025, rreth orës 00:10, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan të pandehurit duke vepruar nga pakujdesia, në bashkëkryerje, e privojnë nga jeta tani të ndjerin Agon Zejnullahun.

Prokuroria pretendon se pasi që njoftohen se një qytetar është duke bërë veprime të pakontrolluara, e po ashtu është duke sulmuar kalimtarët e rastit, por edhe veturat në lëvizje, me të mbërritur në lokacion zyrtarët policorë e hasin tani të ndjerin.

Në dosje thuhet se tani i ndjeri pasi që i vëren zyrtarët policorë duke vrapuar afrohet te vetura e Policisë, që ishte në lëvizje dhe në një moment ai rrëzohet përtokë, ndërsa vetura e Policisë vazhdon lëvizjen për afër 20 metra dhe parkohet.

Sipas dosjes, qytetari Agon Zejnullahu ngrihet në këmbë, duke pasur ekuilibër të çrregullt dhe vrapon në drejtim të zyrtarit policor Albian Retkocerit, i cili përdor “sprej”-in lotsjellës ndaj tani të ndjerit. Ky i fundit më pas futet në ulësen e shoferit në veturën e modelit VW Golf 7, që ishte e ndalur në vend të ngjarjes.

Tutje thuhet se në vend të ngjarjes kanë prezantuar edhe të dyshuarit, zyrtarët policorë Artidon Konxheli dhe Liridon Rrahmani, të cilët kishin qenë në detyrë zyrtare, si dhe i dyshuari, zyrtari policor Endrit Beqiri, i cili kishte qenë jashtë detyrës zyrtare dhe kalimtar rasti.