
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin për rritjen e fundit të pagave në sektorin publik, që përfshin edhe anëtarët e këtij shërbimi.
Në një komunikatë për media, Shoqata thekson se rritja e kostos së jetesës justifikon plotësisht pritjet për një rritje të mëtejshme të pagave edhe gjatë vitit 2026.
Në këtë kontekst, Shoqata rikujton se anëtarët e shërbimit të jashtëm gëzojnë një status të veçantë dhe të dyfishtë ligjor, duke ushtruar detyra si nëpunës civilë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), por njëkohësisht duke përfaqësuar vendin në misione diplomatike dhe konsullore jashtë Kosovës.
Lexoni më poshtë komunikatën e plotë:
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës mirëpret rritjen e fundit të pagave në sektorin publik, rritje në të cilën përfshihen edhe anëtarët e shërbimit të jashtëm. Duke parë rritjen e kostos së jetesës, pritshmëritë për një rritje të pagave edhe për vitin 2026, janë diçka për të cilën nuk ka pse të argumentohet gjerësisht në këtë komunikim.
Me këtë rast, edhe në kontekst të pagave, Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm rikujton përkufizimin legjislativ përmes të cilit anëtarët e shërbimit të jashtëm janë të pajisur me status të veçantë, të dyfishtë. Krahas ushtrimit të funksionit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm në misionet diplomatike dhe konsullore jashtë vendit, në detyrat e tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtarët e shërbimit të jashtëm ushtrojnë funksionin e nëpunësve publik, civil. Angazhimi dhe etika profesionale nuk kanë ndikuar asnjëherë në performancës të personelit të MPJD-së, brenda dhe jashtë vendi, andaj është koha për reflektim.
Për Shoqatën Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, në kuptimin e pagave, ky status i veçantë ka kuptimin që personeli i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës – ata të cilët gëzojnë këtë status – krahas pozitës apo funksionit si nëpunës publik, janë të pajisur edhe më gradë. Rrjedhimisht gëzojnë të drejtën që kompensimi i tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të bëhet sipas parimit afirmativ, respektivisht lartësisë më të madhe respektive, qoftë ajo sipas gradës apo sipas pozitës. Më saktësisht, në rast se paga e tyre përkon të jetë më e lartë sipas gradave, ajo duhet të realizohet sipas saj, dhe anasjelltas, nëse kjo pagë përkon të jetë më e lartë sipas pozitës së nëpunësit, të realizohet sipas pozitës apo funksionit.
Njëkohësisht kërkojmë vëmendjen institucionale vendimmarrëse përkitazi me atë që edhe vet legjislacioni për themelimin dhe funksionimin e shërbimit të jashtëm, dimensioni i trajtimit financiar, nuk pamundëson që aktualisht pagat e anëtarëve të shërbimit të jashtëm të caktohen dhe realizohen në bazë të funksionit ose gradave. Kjo nuk përjashtohet as me ligjin e pagave, i cili të vetmin dallim në kompensim e parasheh në çështje të kompensimeve shtesë që lidhen me kosto jetese, apo të ngjashme, gjithnjë jashtë vendit.
Shoqata Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm shfrytëzon rastin të tërheq vëmendjen institucionale dhe publike që lartësia e koeficientit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm në krahasim me lartësinë e saj në institucione të rëndësisë strategjike për zhvillimet në përgjithësi, nuk ofron një trajtim adekuat për të ardhmen e shërbimit. Ky koeficient duhet të shënoj rritje në shkallë. Kujtojmë këtu që lartësia e pagave të anëtarëve të shërbimit të jashtëm në misionet tona diplomatike dhe konsullore, është ekuivalente me të ardhurat shumë të ulëta për qytetarëve të atyre vendeve. Kjo i vendos ata në pozicion delikat dhe të papërshtatshëm social.
Nga sa u tha, trajtimi i anëtarëve të shërbimit të jashtëm – jo selektiv dhe në plotni sipas legjislacioni të veçantë – është një domosdoshmëri për funksionimin dhe mbarëvajtjen efikase të proceseve të udhëhequra nga MPJD, dhe për këtë qëllim i gjithë kuadri ligjor, përfshirë edhe ai për rregullimin e pagave, duhet ta respektoj këtë frymë dhe logjikë.