Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ankesa ndaj ‘Elektroseverit’ për faturat e rrymës në veri

 
   

Banorët e veriut po ankohen se faturat e energjisë elektrike po u vijnë paushall nga “Elektroseveri”. Për këtë 111 qytetarë që jetojnë në Lagjen e Boshnjakëve, kanë nisur një peticion ndaj kësaj kompanie. Ata thonë se faturat që po u vijnë janë të larta dhe nuk përputhen me konsumin real.

Ndërsa, ankesa thuhet se ka edhe nga komuniteti serb atje. ZRRE ka paralajmëruar veprime në rast se konsumatorët janë faturuar padrejtësisht.

Idriz Doli, banor i Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, po ankohet se faturat e rrymës nga “Elektroserveri” po i vijnë paushall.

Me të nisur faturimin, “Elekstroseveri” kishte paraparë që faturat të ishin me pagesë fikse minimale prej 21 euro e 60 centë. Megjithatë banorëve u kanë ardhur mbi 50 euro fillimisht, e pastaj 100 e më shumë.

Banorët ankohen se nuk kanë pranuar faturat për çdo muaj. Ndërsa shpenzimet u janë llogaritur më pastaj për 6 muaj e më shumë. E për një kohë, ata thonë se u kanë ardhur nga dy fatura nga “Elektroseveri”.

Mentor Boja, banor, ndërmjetësues i licencuar, thotë se janë të gatshëm ta paguajnë për rrymën e shpenzuar, por jo që shpenzimet t’u llogariten paushall. Për këtë banorët kanë nënshkruar edhe një peticion kundër “Elektroseverit”.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, thekson se shqetësimet e njëjta i kanë ngritur edhe komuniteti serb atje.

“Shumë ankesa vijnë edhe nga komuniteti serb. Për shembull kur është pagesa e lartë, ata po lypin 30% e shumës së pagesës për mos me ardhë shkyçja e konsumatorëve të energjetikës në shtëpia që mundet të shkaktojë tensionimi i situatës në destabilizimin politik”, tha Uglanin.

Nuk është përjashtuar mundësia e tensionimit të situatës nëse vazhdon ky tarifim i banorëve atje.

Nga Elektroseveri nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

Ndërsa Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike i tha RTK-së tha se do të ndërmarrin veprimet e nevojshme në rast se konsumatorët janë faturuar padrejtësisht.

ZRRE është në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë “Elektrosever”, në kuadër të mandatit mbikëqyrës dhe rregullator. Megjithatë, është e rëndësishme të sqarojmë se “Elektrosever” nuk është i ngarkuar me shërbim publik, andaj tarifat që aplikon nuk i nënshtrohen miratimit nga ZRRE-ja. Çmimet dhe marrëveshjet tarifore ndërmjet kësaj kompanie dhe konsumatorëve bazohen në marrëveshje të drejtpërdrejta mes palëve.

“Elektroseveri” i ka paralajmëruar banorët për ndërprerje të energjisë elektrike gjatë javës së ardhshme në rast se nuk i paguajnë borxhet.