Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Homazhe në Hereç e Gllogjan për heronjtë Aliaj, Rexhepaj, Zenunaj e Sejfiaj

 
   

Në 27-vjetorin e rënies janë kujtuar e janë bërë homazhe në Hereç e Gllogjan për heronjtë Dinë Aliaj, Asllan Rexhepaj, Muhamet Zenunaj dhe Sokol Sejfiaj, të cilët ranë duke e mbrojtur atdheun.

Pa djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Dinë Aliaj, Asllan Rexhepaj, Muhamet Zenunaj dhe Sokol Sejfiaj, dhe pa sakrificën e tyre sublime në shërbim të atdheut, liria e Kosovës do të mbetej vetëm në ëndrrat tona. Kështu janë shprehur plot dhimbje e krenari bashkëluftëtarë e familjarë të tyre në 27 vjetorin e rënies në Hereç e në Gllogjan.

Fazë Sejfijaj nëna e dëshmorit Sokol Sejfijaj tha se “Ja kam falë Kosovës djalin, e ka dhanë jetën për liri prandaj jam e kënaqur me djemtë që i kam pas të dytë në luftë. Lavdi të gjithë dëshmorëve!”.

 “Të lumt ata djem e vajza që kanë qenë pjesë e kësaj ushtrie, pjesë e kësaj përpjekje për liri. E Sokoli për ne bashkëluftëtarët ka me mbetë, njeriu dhe luftëtari më i veçantë për atë që e ka pas dhe atë që e ka karakterizu. Unë e kam pas fatin që për një periudhë me e pas bashkëluftëtar me e nda të njëjtin istikam me te dhe po ashtu fatin e keq që me e pa vdekjen e tij, me qenë n’krah me të”, theksoi Bashkim Ramosaj, bashkëluftëtar i Sokolit.

Ndërkaq Xhemajl Metaj, bashkëluftëtar dhe invalid i UÇK-së tregoi se i ka katër plagë të marrura me 9 gusht.

“Është shumë e vështirë t’i humbësh tre bashkëluftëtarë, është humbje e madhe për fshatin, për Kosovën po mburrem që i takoj këtij vendi”, shtoi ai.

Sokol Sejfiaj ra më 9 gusht ‘98, në Betejën e Carrabregut në detyrën e komandantit të togut, ndërsa po atë ditë në betejën e Hereçit ranë heroikisht; Muhamet Zenunaj, Asllan Rexhepaj dhe Din Alijaj.