
Mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet hodhën fishekzjarrë dhe kapsolla ndaj protestuesve kundër qeverisë në Novi Sad të mërkurën në mbrëmje, duke e detyruar policinë të ndërhyjë për t’i dhënë fund përplasjes, në një përshkallëzim të madh të protestave që po zgjasin prej nëntë muajsh në Serbi, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Protestat e përditshme në mbarë vendin, pas vdekjes së 16 personave të cilët humbën jetën kur çatia e një stacioni hekurudhor të rinovuar në Novi Sad u shemb në nëntor të vitit të kaluar, e kanë tronditur popullaritetin e presidentit populist Aleksandar Vuçiq dhe të SNS-së.
Në një konferencë shtypi vonë të mërkurën, Vuçiq, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Ivica Daçiq, tha se 16 oficerë policie dhe rreth 60 mbështetës të SNS-së janë plagosur në Novi Sad. Ai gjithashtu akuzoi fuqi të paidentifikuara të huaja për organizimin e trazirave dhe premtoi arrestime.
“Personat që e kanë shkelur ligjin do të ndalohen… Sonte kemi shmangur një skenar katastrofik të planifikuar nga dikush nga jashtë”, tha ai.
Reuters thotë se nuk mundi t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Vuçiqit.
Pamjet e publikuara nga televizioni privat N1 treguan fishekzjarrë dhe kapsolla të hedhura drejt protestuesve në Novi Sad nga drejtimi i zyrave të SNS-së. Po ashtu, treguan protestues kundër qeverisë, disa me fytyra të gjakosura, të cilët thoshin se përkrahësit e Vuçiqit i kishin sulmuar me shkopinj dhe shufra gome.
Lëvizja opozitare “Levizja-Ndryshimi” tha se besnikët e Vuçiqit janë përgjegjës për përplasjet.
“Sulmet ndaj njerëzve me pajisje piroteknike shkelin të drejtën e tyre për jetë dhe për protestë”, thuhej në një deklaratë të saj.
Në kryeqytetin Beograd, policia me pajisje të plota antitrazirë bllokoi protestuesit kundër qeverisë që të mos afrohen në një zonë në një park pranë ndërtesës së parlamentit, ku përkrahësit e Vuçiqit janë kampuar që nga marsi.
Në një zonë tjetër të Beogradit, protestuesit kundër qeverisë u përplasën me policinë që i pengoi ata të afroheshin te zyrat lokale të SNS-së.
Protestuesit kanë fajësuar korrupsionin për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, me shpresën për ta larguar Vuçiçin dhe partinë e tij nga pushteti pas 13 vjetësh.
Studentët, opozita dhe organizatat kundër korrupsionit e kanë akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj rivalëve dhe kufizim të lirive të medias, gjë që ata e mohojnë.
Të mërkurën në mbrëmje, studentët që po udhëheqin protestat u bënë thirrje përkrahësve që të protestojnë para zyrave të SNS-së në qytetet kryesore të Serbisë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevcin, Cacakun dhe Nishin, pas plagosjes së disa protestuesve në përplasjet me SNS-në në qytetin e Vrbasit të martën në mbrëmje.
Tags: Aleksander VuçiqPerleshjeserbiTeve1